Lajme

Finlanda pritet të bëhet vendi i parë i BE-së që teston pasaportat digjitale


Finlanda dëshiron të testojë përdorimin e dokumenteve digjitale të udhëtimit në udhëtimet ndërkufitare, duke u bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që e bën këtë.

Kjo pason dëshirën e Komisionit Evropian që projekti pilot të kryhet nga disa shtete anëtare në mënyrë që të mblidhen përvoja që do të mundësonin paraqitjen e një propozimi për zbatimin e një projekti të tillë në të gjitha vendet e BE-së.

Projekti në fjalë do të financohet nga Komisioni i BE-së.

Sakaq, plani fillestar është testimi i dokumenteve digjitale të udhëtimit midis Finlandës dhe Kroacisë.

Sapo financimi i projektit të miratohet, përdorimi i dokumenteve digjitale të udhëtimit do të testohet në Aeroportin e Helsinkit.

Mikko Väisänen, një inspektor në Rojet Kufitare Finlandeze, ka thënë se duke përdorur dokumentet digjitale të udhëtimit, kontrollet kufitare dhe procesi i udhëtimit do të ecë më qetë dhe më shpejt.

Autoritetet finlandeze, sipas tij, janë duke hartuar një kërkesë për financim për Komisionin. Kërkesa duhet të dorëzohet deri në fund të gushtit.

Dhe se do të mësohet nëse projekti do të realizohet ose jo vetëm pas dorëzimit të aplikacionit për financim.

Väisänen ka shtuar se nëse Komisioni e miraton projektin, autoritetet do t’i ofrojnë një grupi vullnetarësh një aplikacion telefonik që përmban një dokument digjital udhëtimi.

Pasagjerët, përmes aplikacionit, do të mund t’i dërgojnë në mënyrë elektronike autoriteteve kufitare informacionet në dokumentet e tyre të udhëtimit përpara udhëtimit.

Megjithatë, ata do të duhet të mbajnë me vete pasaportën fizike gjatë projektit pilot.

Väisänen ka theksuar po ashtu se informacioni mbi mbajtësin, i cili verifikohet paraprakisht, do të fshihet pas udhëtimit.

Dhe se gjatë kontrollit fizik të pasagjerit do të bëhet edhe një fotografi e tij.

Për të, nëse projekti rezulton i suksesshëm, pasagjerëve nuk do t’u kërkohet të mbajnë dokumente fizike në të ardhmen dhe se procesi do të bëhet shumë më i thjeshtë.

Tanimë, Finlanda pret vetëm dritën jeshile nga Komisioni.

Nëse ai e miraton financimin për projektin pilot, vendi do ta nisë eksperimentin në fund të vitit.

Marrë nga “Schengen Visa Info”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore