Film

Filmi “Zgjoi”/“Hive” i Blerta Bashollit është përzgjedhur në SunDance Film Festival


Filmi Hive/Zgjoj i Blerta Bashollit në Sundance Film Festival

Filmi “Zgjoj”, në anglisht “Hive”, i regjisores Blerta Basholli është përzgjedhur zyrtarisht në Festivalin “Sundance Film Festival 2021”. Ky Festival, një nga tre festivalet më prestigjoze të filmit në botë, do të fillojë më 28 janar. Pas disa filmave me metrazh të shkurtër kjo është opera prima, filmi i parë me metrazh të gjatë i regjisores nga Kosova.

Blerta Basholli ka lindur në vitin 1983 në Kosovë ku ka përfunduar studimet në regji në Akademinë e Arteve të Bukura të Prishtinës. Master-in e ka përfunduar në Tisch School of the Arts, në Universitetin e New York-ut, drejtimi Film dhe Televizion me bursën “Dean’s Fellowship”. Tani është kandidate për doktoraturë në Fakultetin e Arteve në Shkup, në universitetin “Ss. Cyril and Methodius”. Blerta ka qenë gjithmonë shumë e angazhuar në punë të ndryshme edhe në fushën sociale dhe tani është drejtoresha për Kulturën në qytetin e Prishtinës.

Ky është rasti i parë i një bashkë-produksioni zyrtar Kosovë-Zvicër. Edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e bashkë-produksionit të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Filmi bazohet në një ngjarje të vërtetë, në kohën e pasluftës, në vitet rreth 2005-2006.
Rrëfehet mbijetesa e Fahrijes, e cila pas humbjes së burrit të saj gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes. Drama e një gruaje kosovare gjatë luftës dhe ngadhnjimi i saj mbi vështirësitë e ringritjes pasluftës, ku për gratë rëndonte dhe mentaliteti i papërgatitur i shoqërisë që sheh me sy të keq ambicien për ringritje.

Regjisorja është shprehur që “vlerësimet kanë qenë të shumta nga kritika dhe distributorët ndërkombëtarë për pëlqimin e publikut dhe aktrimin profesional”. Në kast bëjnë pjesë Yllka Gashi që luan rolin e Fahrijes, si dhe Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi dhe Çun Lajçi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore