Pajisje

Fastly, ndërprerjen e shkaktoi një defekt në program


Fastly, kompania e shërbimeve të shpërndarjes së përmbajtjeve, i ka hedhur fajet e ndërprerjes së madhe të internetit të së martës së tetë qershorit që goditi shumë uebfaqe të profilit të lartë, mbi një defekt në program.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se kompania përgjegjëse për rënien e uebfaqeve ka deklaruar menjëherë se problemi ishte shkaktuar kur një nga klientët e saj kishte ndryshuar cilësimet e tyre.

Kjo situatë e ndërprerjes ka ngritur pikëpyetje në lidhje me mbështetjen në një pjesë të vogël të kompanive për të drejtuar infrastrukturën e gjerë që mbështet internetin.

Fastly ka kërkuar falje dhe ka thënë se problemi i shkaktuar duhet të ishte parashikuar.

Për sa i përket ndërprerjes, ajo zgjati afro një orë duke goditur disa nga uebfaqet më të njohura si Amazon-i, Reddit-i, The Guardian dhe New York Times.

Nick Rockwell, ekzekutivi i lartë i inxhinierisë në Fastly, është shprehur se “kjo ndërprerje ishte e gjerë dhe e rëndë dhe ne vërtet na vjen keq për ndikimin tek klientët tanë dhe për të gjithë ata që mbështeten tek ata”.

Fastly operon server-a në pika strategjike në të gjithë botën për të ndihmuar klientët të lëvizin dhe ruajnë përmbajtje afër përdoruesve të tyre përfundimtar.

Mirëpo, një ndryshim i cilësimeve nga një klient nxori në pah një të metë në një azhurnim software-ësh të lëshuar për klientët në mes të muajit maj.

Kjo bëri që “85 për qind e rrjetit tonë të kthente gabime”, ka deklaruar Fastly.

Sipas kompanisë, inxhinierët e studiuan shkakun e problemit afro 40 minuta pasi faqet e internetit kishin dalë jashtë linje.

“Brenda 49 minutash, 95 për qind e rrjetit tonë po funksiononte normalisht”, deklaroi Fastly.

Në të gjithë rrjetin e vet, kompania ka vendosur një rregullim të defekteve dhe ka premtuar “një post mortem të proceseve dhe praktikave që ndoqëm gjatë këtij incidenti” dhe “të kuptojë pse nuk i zbuluam defektet gjatë sigurimit të cilësisë së software-it dhe proceseve të testimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore