Përballje

Europa Leauge/ Humbin Napoli dhe Leicester, fiton pastër Lyon


Kanë përfunduar ndeshjet e orës 18:45 në Ligën e Evropës, ku në vëmendje ishin humbjet e Napoli-t dhe Leicester-t.

Napoli e filloi mjaft mirë sfidën përballë rusëve të Spartak Moskës, të cilët realizuan që në minutën e parë, përmes Elif Elmas.

Mirëpo, gjërat për ekipin italian ndryshuan në minutën e 29-të, kur Mario Rui u përjashtua nga loja me karton të kuq.

Me epërsinë numerike në fushë, mysafirët e patën më të lehtë, të cilët fillimisht barazuan rezultatin përmes Pomes në minutën e 55-të, pastaj realizuan edhe dy gola përmes Ignatov dhe përsëri Pomes në 10 minutat e fundit të ndeshjes.

Napoli nuk u dorëzua, të cilët ngushtuan epërsinë në minutën e katërt shtesë përmes Osimhen, por në fund mbeten pa pikë në këtë sfidë.

Me këtë humbje Napoli pozicionohet në vendin e tretë të Grupit C, me vetëm një pikë, ndërsa Spartak zë vendin e dytë me tri pikë.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, polakët e Legia bënë befasinë duke mposhtur anglezët e Leicester, me rezultat minimal 1:0.

Emreli realizoi për vendasit në minutën e 31-të dhe rezultati mbeti i pandryshueshëm deri në fund të takimit, ku Legia me këto tri pikë, merr vendin e parë në grup me gjashtë sosh.

Vlen të ceket se në këtë takim, minuta pati edhe për futbollistin e Kosovës, Lirim Kastratin, i cili u inkuadrua në lojë në minutën e 70-të.

Ndërkohë, në derbin e Grupit B, Real Sociedad dhe Monaco ndanë pikët, duke barazuar 1:1.

Të parët në epërsi kaluan francezët përmes Axel Disasi në minutën e 16-të, pastaj në minutën e 55-të vendasit barazuan me futbollistin Mikel Merino.

Sfidën tjetër të këtij grupi, e fitoi PSV Eindhoven, të cilët mposhtën në udhëtim austriakët e Sturm Graz, me rezultat 1:4.

Sangare realizoi golin e vetëm për mysafirët në pjesën e parë, teksa në të dytën shënuan Zahavi, Max dhe Veterssen, ndërsa golin e nderit për vendasit e shënoi Stankovic.

Në sfidën e Grupit A, Lyon-i i Xherdan Shaqirit realizoi fitore me shifrat 3:0 përballë danezëve të Brondby-t.

Gola në pjesën e parë nuk pati, derisa në të dytën vendasit shënuan tri herë, ku autor i dy golave ishte Ekambi, ndërsa rrjetën e gjeti edhe Auar.

Xherdan Shaqiri luajti në këtë sfidë për 73 minuta, por nuk arriti të lërë gjurmë.

Në sfidat tjera, Fenerbahce u mposht në shtëpi nga grekët e Olympiacos me rezultat 0:3, Eintraht Frankfurt mori fitore minimale në udhëtim te Antwerp 0:1 dhe Sparta e Pragës mposhti minimalisht Rangers me shifrat 1:0.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore