Lajme

Eurodeputetët kritikojnë Serbinë për mohimin e gjenocidit


Një musliman boshnjak kërkon për varrin e të afërmit të tij në Srebrenicë më 11 korrik 2014

Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian (PE) përmes një letre drejtuar udhëheqësve në Serbi, kanë kritikuar këtë të fundit për mohim të gjenocidit.

Në letër thuhet se “një shtet që aspiron anëtarësimin në BE, nuk mund të angazhojë policinë për të ruajtur një mural të një krimineli të luftës”.

Sa i përket mbrojtjes ë muralit të Mlladiç-it, në letrën e nënshkruar të eurodeputetëve thuhet se është një shembull se çka mendon Aleksandar Vuçiç dhe qeveria serbe, pra nuk e respektojnë drejtësinë ndërkombëtare.

“Mbrojtja e muralit është edhe një shembull se çfarë mendon Qeveria e Serbisë dhe presidenti (serb, Aleksandar) Vuçiç për pajtimin, sundimin e ligjit, demokracinë dhe bashkëpunimin rajonal”.

Oficerët e policisë kalojnë pranë një murale të ish-shefit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç në Beograd, Serbi, të martën, 9 nëntor 2021. (AP Photo/Darko Vojinovic)

“Edhe një herë, në mënyrë eklatante, autoritetet e Serbisë dhe zyrtarët politikë kanë dëshmuar se nuk respektojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe vendimet e saja, sikurse edhe viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi”, thuhet në letrën e eurodeputetëve përfshi Viola von Cramon nga Gjermania dhe Tonino Picula nga Kroacia.

Burimet në Parlamentin Evropian (PE) kanë thënë se letra i është ofruar për nënshkrim edhe raportuesit për Serbinë, Vladimir Bilçik, por ai nuk e ka nënshkruar, transmeton REL.

Bilçik më vonë përmes rrjeteve sociale ka thënë se në raportin e tij për Serbinë është thënë qartë se dënohet çdo glorifikim i kriminelëve të luftës dhe mohimi apo relativizimi i krimeve.

Zëdhënëse e Komisionit Evropian për fqinjësi, zgjerim dhe partneritet ndërkombëtar, Ana Pisonero, ka thënë se duhet të tejkalohet trashëgimia nga e kaluara e mohimit të krimeve tek pajtimi.

“BE-ja ka një qëndrim të qartë dhe të prerë për nevojën që në mënyrë efektive të tejkalohet trashëgimia nga e kaluara, përmbajtja nga çfarëdo glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimit të krimeve të luftës dhe për forcimin e pajtimit”.

Ajo tutje ka thënë se “Secili shtet që aspiron për t’u anëtarësuar në BE pritet të zbatojë dhe promovojë vlerat bazë të BE-së, siç është sundimi i ligjit, demokracia dhe drejtësia”.

“Serbia duhet të vazhdojë të thellojë reformat edhe në lirinë e shprehjes dhe në procedimin e rasteve të krimeve të luftës. Kjo është esenciale për vendim për të lëvizur në rrugëtimin drejt BE-së”, ka thënë Pisonero.

I mbijetuari i masakrës së Srebrenicës, Nedzad Avdiç, 37 vjeç, prek emrat e gdhendur të atyre që u vranë në një masakër dhe u varrosën në Qendrën Përkujtimore në periferi të Srebrenicës në Potocari më 27 qershor 2015. Ai ishte 17 vjeç kur iu bashkua një grupi burrash që u përpoqën të iknin nëpër pyll. Grupi i tij u ndoq nga ushtarët serbë dhe u soll në një shkollë për ekzekutim.

Ajo tutje ka deklaruar se BE-ja refuzon dhe dënon çfarëdo mohim, relativizimi apo keqinterpretimi të gjenocidit në Srebrenicë.

Serbia vazhdon të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, ndonëse në disa raste e përmendin si “krim të tmerrshëm”, por duke refuzuar që ta përdorin termin gjenocid.

Mohimi i gjenocidit ndodh që nga Presidenca serbe e deri tek institucionet e nivelit lokal.

Gjatë luftës në BeH, forcat serbe vetëm në Srebrenicë vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Kjo masakër ndaj popullatës civile u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Ndërkaq, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Valentin Inzko ka marrë vendim që mohimi i gjenocidit të dënohet. Ky vendim ka nxitur tensione të reja në BeH.

Kuvendi i Kosovës

Kosova me rezolut për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

Ndërsa Kuvendi i Republikë së Kosovës kishte miratuar rezoluta për dënimin e gjenocidit për Srebrenicën me 89 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim me shtatë korrik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rezoluta për masakrën e Srebrenicës është veprim fisnik e i duhur.

“Sot po e mbështesim një rezolutë me rastin e 26 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës, ky është një veprim fisnik e i duhur jo vetëm në emër të Kosovës, të shqiptarëve, e të komuniteteve të tjera që i përfaqësonin, por mbi të gjitha në emër të universales tonë njerëzore dëshirës tonë për paqe dhe drejtësi”, kishte thënë Kurti.

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës

Edhe në Mal të Zi, kur në parlament u miratua rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë pati tensione politike, me ç’rast nga detyrua u shkarkua edhe një ministër, i cili tha se nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë.

Më shumë se 600 qytetarë në Serbi kanë nënshkruar peticionin “Krimi është krim”.

Peticion ky që është iniciuar nga prokurori për krime lufte Vladimir Vukçeviç kundër glorifikimit të kriminelëve në Serbi, shkruan media serbe Danas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore