Lajme

Kërkohet shkarkimi i ministrit të Drejtësisë malazez, pas mohimit të gjenocidit të Srebenicës


Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapic, i kërkoi parlamentit të miratojë shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Vladimir Leposaviç.

Kjo kërkese erdhi pasi ministri shprehu dyshimin në lidhje me vendimet e gjykatave ndërkombëtare, që klasifikojnë masakrat e Srebrenicës si gjenocid.

Krivokapic tha se ai e thirri ministrin të jepte dorëheqjen në një bisedë private, por Leposaviç refuzoi.

“Meqenëse Leposavic ka qëndruar në pozicionin e tij, unë mora vendimin e vështirë për të filluar një propozim për shkarkimin e tij. Është e papranueshme që ministri i Drejtësisë të shprehë pikëpamjet e tij private”, tha Krivokapic.

Propozimi i kryeministrit, për të shkarkuar Leposaviç, tani duhet të votohet në parlament, ku tre blloqet që përbëjnë shumicën qeverisëse kanë një shumicë të hollë.

Leposaviç, një politikan pro-serb, argumentoi muajin e kaluar se gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Hagë, e cila klasifikoi masakrën e Srebrenicës si gjenocid, nuk kishte asnjë legjitimitet.

Ai pretendoi se ajo, kishte shkatërruar provat në lidhje me trafikimin e organeve të serbëve civilët në Kosovë.

“Unë jam gati të pranoj se krimi i gjenocidit u krye në Srebrenic, kur të vërtetohet pa dyshim”, tha ai.

Njohja si gjenocid

Udhëheqësit politikë të partive pro-serbe në Mal të Zi, vazhdimisht kanë refuzuar të pranojnë përkufizimin e Tribunalit të Hagës, duke thënë se vrasjet në Srebrenica ishin një krim lufte por jo gjenocid.

Partitë e opozitës dhe një iniciativë qytetare filluan një peticion në internet për dorëheqjen e Leposavic, duke argumentuar se deklarata e tij minonte reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi.

Pasi ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoric i bëri thirrje qeverisë së Malit të Zi javën e kaluar të deklarojë qartë se masakrat e Srebrenicës ishin gjenocid, qeveria e Krivokapic tha se respekton vendimet e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe dënon të gjitha krimet e luftës.

Në 2009-ën, parlamenti malazes miratoi një deklaratë që pranon një rezolutë të Parlamentit Evropian mbi Srebrenica, e cila miratoi 11 korrikun si një ditë përkujtimi në Malin e Zi për viktimat e masakrave të vitit 1995.

Por megjithëse deklarata dënoi krimet, si dhe krime të tjera të kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi, fjala gjenocid nuk u përmend.

Në dhjetor 2020-ës, Partia Boshnjake e opozitës e Malit të Zi propozoi një rezolutë parlamentare për të njohur gjenocidin e Srebrenicës, por shumica qeverisëse votoi kundër tij.

Masakra e Srebenicës

Në korrik 1995-ës, forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenica.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

ICTY zbuloi se forcat serbe të Bosnjës filluan planifikimin e gjenocidit gjatë fazës përfundimtare të Luftës tre-vjeçare të Bosnjës, në Mars 1995.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Pas masakrës, ushtarët serbë të Bosnjës rihapën varret masive me makineri të rënda dhe zhvendosën mbetjet njerëzore në varret dytësore dhe terciare.

Qëllimi i tyre ishte të fshihnin krimet e tyre. Patologëve iu është dashur të marrin dhe copëtojnë mbetjet njerëzore nga zona të ndryshme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore