Euro 2024

Është hera e parë që shpresoj që Italia të mos fitojë, thotë Rama për “Tutto Sport”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për median italiane “Tutto Sport” ka folur për takimin e mbrëmjes së sotme, ku Kombëtarja shqiptare do të përballet me Italinë në “Signal Iduna Park” të Dortmundit.

Rama thekson se kjo do të ishte hera e parë dhe e fundit, ku uron që Italia të mos fitojë një ndeshje në Kampionatin Evropian.

“Por në çdo rast, do të isha mirë me një barazim, i cili, për kuqezinjtë tanë, do të ishte si një fitore”.

Numri një i Qeverisë u pyet për pikat e forta të skuadrës së Shqipërisë.

“Duhet t’i frikësoheni epërsisë sonë të qartë në tribuna, ku sigurisht fitojmë, frymës së hakmarrjes së djemve të Sylvinhos dhe faktit që skuadra jonë nuk ka asgjë për të humbur. Mund të përfundojë në çfarëdo mënyre, por duke qenë se Italia nuk shkëlqen pothuajse kurrë në nisje të një turnu, shpresoj për një barazim”.

Rama u pyet se cilin lojtar të Italisë do të dëshironte në skuadrën e Shqipërisë.

“Donnarumma, pa asnjë dyshim”.

Ai gjithashtu konfirmoi se do të ndiqte ndeshjen në Gjermani. Kryeministri nënvizoi lumturinë e tij me skuadrën aktuale të Shqipërisë.

“Kjo është kombëtarja shqiptare me lojën më të mirë që mbaj mend. Grupi fitoi duke luajtur gjithmonë futboll të mirë dhe, nganjëherë, me një lojë emocionuese”.

Ai foli për mbështetjen e gjerë për skuadrën.

“Nuk është vetëm Tirana që e pret këtë Europian si dasma e një fëmije të vetëm. Kjo kombëtare bashkon, së bashku me Shqipërinë, popullin shqiptar të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha pjesëve të botës”.

Rama u pyet se cilën skuadër do të mbështeste nëse Shqipëria do të eliminohej.

“Gjithmonë Italinë”.

Kryeministri diskutoi për ndikimin e futbollit italian në kombëtaren shqiptare.

“Me De Biasin arritëm për herë të parë në një kampionat europian. Reja ia doli në një tranzicion të vështirë, por grumbulloi më shumë pikë se të gjitha kombëtaret shqiptare para De Biasit së bashku. Më mirë të mos flasim për Panuccin”.

“Por unë do t’ju tregoj një sekret, këshilla e një tjetër italiani të madh, Roberto Mancini, peshoi shumë në zgjedhjen e Sylvinhos. Futbolli italian ishte parajsa jonë kur jetonim në ferrin komunist”.

“Zërat e Sandro Ciotti-t dhe Bruno Pizzul-it patën një efekt të papërshkrueshëm tek ne që të mos ndiheshim vetëm në atë vrimë të zezë. Dhe ne e pamë Kupën e Botës në duart e Dino Zoff sikur të ishte edhe në duart tona”.

Rama ka komentuar marrëdhënien mes italianëve dhe shqiptarëve.

“Tani jemi një popull i ndarë buzë detit, por i bashkuar në çdo gjë tjetër. Ngjashëm si dy pika uji në pikat e forta dhe të dobëta të tyre”.

Ai nuk mendonte se ndonjë klishe për shqiptarët duhej të fshihej.

Rama sugjeroi se do të dëshironte ta shihte trajnerin e Italisë te Juventusi një ditë.

Ai foli edhe për debatin rreth Massimiliano Allegrit në Juventus.

“Allegri mbeti shumë vetëm dhe kjo mund të ndihej nga larg edhe para se vetmia e tij të bëhej një fakt publik. Ai shkroi historinë e Juventusit. Ndarja nga Allegri nuk u bë me të gjitha nderimet që trajneri do të kishte merituar, kjo nuk është një shenjë e mirë për një klub që përveç shumë momenteve emocionuese në historinë e tij, nuk duhet të harrojë mësimet”.

Ai u pyet se cilin lojtar shqiptar do t’i rekomandonte Juventusit.

“Mario Mitaj, një mbrojtës i krahut 20-vjeçar me këmbën e majtë ‘shumë të shijshme’”.

Së fundmi, Edi Rama u pyet nëse do ishte më të lehtë që Juventusi të fitonte Scudetton sezonin e ardhshëm apo Shqipëria të mundte Italinë në Euro 2024.

“Kjo pyetje më bën të buzëqesh… Në këtë pikë do të thosha se është më e vështirë për Juventusin të fitojë Scudetton sesa për Italinë të lejojë veten të mposhtet nga Shqipëria”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore