Jetesë & Stil

Eliza Dushku shpalos historinë e ngacmimit seksual para Komitetit Gjyqësor në Amerikë


Eliza Dushku shpalos historinë e saj të ngacmimit seksual para Komitetit Gjyqësor në Amerikë

Aktorja e njohur me prejardhje shqiptare, Eliza Dushku, ka dëshmuar para një komisioni të kongresit se është përjashtuar nga roli në serialin “Bull”, vetëm se është ankuar mbi pretendimet e saj për ngacmime seksuale kundër aktorit, njëherësh kolegut, Michael Weatherly.

Dushku u ka thënë anëtarëve të Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve duke thënë se ajo tashmë ishte në gjendje ta “thyente heshtjen”, ndërsa iu përgjigj thirrjes së kongresit për dëshmim, rreth historisë së ngacmimit seksual, çka bëri që të largohej nga seria e kanalit televiziv, CBS.

Eliza Dushku shpalos historinë e saj të ngacmimit seksual para Komitetit Gjyqësor në SHBA.

“Të tjerë të panumërt që janë të detyruar nga arbitrazhi nuk janë aq me fat”, tha Dushku, e cila është shfaqur në mënyrë virtuale në Komisionin e Kongresit, shkruan CNN.

Në vitin 2018, u zbulua se Dushku ishte paguar nga CBS rreth 9.5 milionë dollarë për të zgjidhur në heshtje pretendimet për ngacmime seksuale në xhirimet e serialit “Bull”, të bëra nga aktori Weatherly.

Ani pse, Eliza, ishte shumë e kufizuar nga një marrëveshje moszbuluese e kontratës, ajo ka zbuluar disa prej detajeve në një artikull të botuar në “Boston Globe”, duke kundërshtuar versionet arsyetuese të CBS dhe atë të Weatherlyt.

Ajo ka thënë se që në javën e saj të parë në punë, “e gjeti veten në barrën e sulmeve verbale të vrazhda, seksuale dhe të turpshme, duke shtuar se ka vuajtur nga ngacmime të vazhdueshme seksuale nga kolegu i saj”.

“Kjo ishte përtej çdo gjëje që kisha përjetuar në karrierën time 30-vjeçare”, tha ajo.

Eliza Dushku dhe Michael Weatherly.

Duke mos e theksuar emrin e aktorit, ajo tha se – “ai më nuhaste dhe më shikonte me sy të keq lart e poshtë. Jashtë skenarit, përpara rreth 100 anëtarëve të ekipit dhe anëtarëve të kastit, ai një herë tha se do të më çonte në furgonin e tij ‘përdhunues’ dhe do të përdorte lubrifikant dhe gjëra të gjata falike mbi mua, do të më merrte mbi gjurin e tij dhe do të më godiste si një vajzë e vogël”.

Mes tjerash, Dushku, ka thënë se kishte frikë se rrezikonte punën dhe reputacionin e saj, në rast se do të shpaloste historinë e errët.

Por, ky nuk është rasti i parë që Eliza Dushku ndeshet me ngacmime seksuale, kjo pasi që aktorja në vitin 2018 kishte pranuar se është ngacmuar seksualisht nga një anëtar i ekipit të një filmi tjetër.

Dushku pati thënë se u ngacmua seksualisht kur ishte 12-vjeçare derisa po xhironte filmin “True Lies”. Ajo ka bërë të ditur se është ngacmuar seksualisht nga Joel Kramer, njëri prej koordinatorëve më të njohur për skenat e rrezikshme në Hollywood.

Eliza Dushku dhe Joel Kramer.

“Që prej asaj kohe e kam pasur të vështirë se si dhe kur ta bëj publike këtë, nëse do ta bëja. Në atë kohë, për këtë u kam treguar prindërve, dy shokëve dhe njërit prej vëllezërve të mi. Askush nuk ishte i gatshëm që të përballej me këtë tabu atëherë, as unë nuk isha”, ka shkruar Eliza Dushku.

“U jam mirënjohëse grave dhe burrave që kanë treguar [për ngacmimet] në muajt e fundit. Lista e rritur e viktimave të abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale, që kanë folur të vërtetën, më në fund më kanë bërë të fortë që të flas për këtë. Ka qenë sfiduese për mua që ta mbajë këtë gjë për gjatë tërë këtyre viteve”, pati shkruar aktorja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore