Lajme

Ekspertët: Janë dy arsye kryesore përse Qeveria e Kosovës po bie kaq shpesh ndesh me Kushtetutën


Ilustrim: Kushtetuta e Republikës së Kosovës

Përgatitja e dobët e ligjeve në njërën anë dhe dëshira për të ushtruar pushtet të pakontrolluar në anën tjetër, janë dy arsyet kryesore që kanë çuar në një numër të madh të shkeljeve të Kushtetutës së Kosovës nga Qeveria e Kosovës, thonë ekspertë të çështjeve juridiko-politike për Albanian Post.

Për profesorin e çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, problemi më i madh aktualisht është mënyra e hartimit të ligjeve nga Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, ndërsa shtoi se jo rrallë herë ky dokument me ose pa dashje është cenuar edhe në të kaluarën.

“Problemi është në radhë të parë është te hartimi dhe mënyra e vendimmarrjes së kësaj qeverie, por edhe e qeverive të tjera. Nuk është hera e parë që një qeverie i rrëzohen ligjet. Ligjet po pregatiten dobët dhe nga njerëz jo-kompetentë”, thotë Baraliu për AP.

Ndërkaq, politologu Shkodran Ramadani, tha se në thelb, ekzekutivi kosovar është armiqësor ndaj mekanizmave dhe së fundi vlerave që lidhen me konstitucionalizmin: kufizimet mbi vullnetin e shumicës, sistemin e kontrollit dhe balancës, madje edhe të drejtat themelore.

Shkelja e kushtetutës, e jo respektimi i saj, që nga fillimi është bërë një nga tiparet më të dalluara të Qeverisë Kurti, vazhdon tutje Ramadani, ndërsa shton se përpjekja për amnistimin e qeverisë, duke e përshkruar si “mungesë të kompetencës për të hartuar ligje”, nuk është arsye për shkelje kushtetuese.

“E vërteta fshihet tek karakteri populist e autoritarist i kesaj qeverie. Partitë e tilla nuk e durojnë thelbin e demokracive liberale: ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve kyçe shteterore. Këto parti moniste e duan gjithë pushtetin e mundshëm në duart e një udhëheqësi”, tha Ramadani për AP.

Gjykata Kushtetuese më 24 mars e ka shpallur si anti-kushtuetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, për të cilin dy partitë opozitare – Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës – kishin kërkuar vlerësimin e kushtetueshmërisë.

Autoriteti përfundimtar për interpretimin e kushtetutës, po ashtu, më 8 prill 2022, konstatoi se ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, e ka shkelur kushtetutën, kur ndaloi në një mënyrë arbitrare, reformën e arsimit nga Qëndëron Kastrati, ish-kryetari i komunës së Kamenicës.

Në Gjykatën Kushtetuese janë dërguar edhe ligje të tjera të hartuara nga Qeveria e Kosovës – Ligji për Byronë, Ligji për Paga, Ligji për Zyrtarët Publik dhe Ligji për caktimin e çmimeve tavan për produktet bazë – që mund të shpallen anti-kushtetuese dhe lista e shkeljeve kushtetuese mund të ndryshojë.

Baraliu thekson se ligjet e hartuara nga Qeveria e Kosovës janë jashtëzakonisht të dobëta dhe kontradiktore. Për këtë arsye, thotë ai, ato shpallen anti-kushtetuese. Ndër arsyet tjera, nënvizon ai, është se ekzekutivi po tregohet i paduruar me procedurat – kërkon t’i miratojë ligjet pa diskutim publik.

“Ligjet duhet të pregatiten më mirë nga njerëzit kompetentë dhe të trajtohen në Kuvendin e Kosovës, sepse këto ligje, në kuvend, por edhe në komisione, po shkojnë me nguti, vetëm sa për t’i kaluar”, argumenton ndër të tjera Baraliu në një prononcim për Albanian Post.

Ramadani nga ana tjetër, thotë se Lëvizja Vetëvendosje po kërkon vendosjen e një kushtetute të re – si në kuptimin e një marrëveshjeje të re socio-politike dhe një grupi të ri rregullash për lojën politike (ajo çka shumë studiues të konstitucionalizmit e kanë quajtur “manuali i përdorimit” të politikës).

Ai ndër të tjera argumenton se partia në pushtet po kërkon një sistem që lejon shprehjen e një vullneti të pakufizuar popullor ose ta fuqizojë marrëdhënien e pandërmjetësuar institucionalisht dhe të drejtpërdrejtë mes liderit dhe popullit.

“Këta duan ushtrim të pakontrolluar të pushtetit dhe fuqi ekzekutive që nuk i bindet asnjë instance të drejtësisë, por vetëm vullnetit të votuesve të tij. Kjo qasje përben rrezik ekzistencial për demokracinë dhe për liritë që gëzojnë qytetarët e Kosovës”, thotë Ramadani për AP.

Përveç divergjencës së madhe që kanë në të kuptuarit e Kushtetutës së Kosovës, njohësit e çështjeve juridiko-politike bien dakord për një pikë – se akti më i lartë juridik i shtetit, çfarëdo qoftë ai, është shkelur dhe po vazhdon të shkelet dhunshëm edhe nga pushteti aktual.

Ndërsa shteti i Kosovës shënoi ditën e ratifikimit të dokumentit nga i cili rrjedhin të gjitha ligjet dhe rregullat për funksionimin e shtetit, edhe opozita përkujtoi përpjekjet e pandalshme anti-kushtetuese e populiste të pushtetit edhe si veprim – përmes ligjeve jokoherente – por edhe si diskurs publik.

Ndërkohë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë kontestuar nga ekzekutivi nën pretekstin se partitë opozitare po tentojnë ta paralizojnë “punën e mirë” të Qeverisë së Kosovës, duke minuar reformat, të cilat sipas tyre, janë në interes të popullit të Kosovës.

Megjithatë, ekspertë të këtyre çështjeve argumentojnë se këto praktika duhet të ndërpriten sepse ligjshmëria kushtetuese është e pacënueshme dhe e pakontestueshme. Kushtetuta resht së qeni një strukturë për politikën dhe trajtohet më shumë si instrument i pastër partiak për ta kapur shtetin.

Ndryshe, paralelisht po vazhdon pingpongu i pushtetit dhe opozitës se kush ka më shumë faj, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre me shpresën për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore