Lajme

PDK-ja e dërgon në Kushtetuese Projektligjin për konfiskimin e pasurisë


Ilustrim

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike të Kosovës.

Kështu të paktën ka bërë të ditur, Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit të Qeverisë së Mirë në PDK, në një përgjigje për Betimin për Drejtësi.

Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar.

Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, projektligji nuk procedohet nga ana e Kuvendit për shpallje tek Presidentja e Republikës së Kosovës, pasi ajo dërgohet në Kushtetuese.

Më 9 shkurt 2023, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ligji i miratuar tashmë nga deputetët, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është njëri ndër projektligjet më të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës që ka për qëllim luftimin krimin të organizuar dhe të korrupsionit dhe sidomos pasurinë e pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë në Kosovë.

“Prandaj më lejoni që të ju falënderojë si komision për legjislacion si grup punues për punën e madhe që keni bërë në adresimin e rekomandimeve që kanë dalë nga Komisioni i Venecias”, kishte thënë Haxhiu.

Haxhiu më tej ka garantuar që Byroja për Konfiskimin e Pasurisë nuk e ka si qëllim goditjen e një zyrtari, po luftimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Në Komisionin e Venecias, ekspertët që kanë qenë të angazhuar për trajtimin e këtij projektligji e kanë marrë Kosovën si një shembull të mirë që edhe vendet e tjera ta marrin si shembull Kosovën se si adresohen rekomandimet që jepen nga Komisioni i Venecias”.

Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte mbështetur ligjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore