Lajme

Pas PDK-së edhe LDK-ja ankohet në Kushtetuese për Ligjin për Zyrtarët Publik


Ilustrim

Pas Partisë Demokratike të Kosovës, këtë të premte edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publik.

Rreth orës 15:00, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, është parë duke u futur në ndërtesën e Kushtetueses duke dorëzuar kështu dokumentet e nevojshme në këtë institucion të drejtësisë.

Se pse Gjykata Kushtetuese duhet ta shfuqizojë ligjin në fjalë, kishte argumentuar, ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherit deputetë nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ka thënë se me Ligjin e ri për Zyrtarët Publik shtohet ndikimi politik në rekrutim, transferim dhe ngritje në detyrë për shkak se hiqet sistemi i karrierës dhe rrjedhimisht punësimi bëhet me mandat dhe futet rekrutimi i jashtëm për pozitat drejtuese.

“Pozitat drejtuese që kanë kontrata të përhershme i nënshtrohen konkursit, e cila gjë bie ndesh me parimin e ‘të drejtave ligjore të fituara’, siç përcaktohet me ligjin në fuqi dhe praktikën gjyqësore ndërkombëtare të shërbimit civil ku rregullat nuk duhet të ndryshohen në dëm të personelit në detyrë”, ka shkruar Hoti në rrjetin e tij social në Facebook.

Qeveria kishte argumentuar më tej Hoti për këtë projektligj nuk është koordinuar me BE-në, ashtu siç kërkohet me nenin 120 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Transferimi i përkohshëm mund të bëhet pa pëlqimin e zyrtarit, e cila gjë krijon mundësi për keqpërdorim të ligjit për interesa politike e personale të drejtuesve të institucioneve. Procedurat disiplinore nuk kanë siguri dhe proporcionalitet, si dhe nuk dihen masat disiplinore specifike për çdo shkelje”, ka shtuar ai.

Në të kaluar, kishte shkruar më tej Hoti, ka pasur raste të ndërhyrjeve politike në punësim në administratë, por ato raste janë gjykuar apo janë në procedurë gjyqësor.

“Ndërkaq, me këtë ligj kjo ndërhyrje legalizohet. Me këtë ligj, partia në pushtet ka vetëm një qëllim: largimin e zyrtarëve dhe zëvendësimin e tyre me militantë që janë të dëgjueshëm. Pres që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë këtë ligj”.

PDK-ja dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore