Lajme

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Qëndron Kastratit – Arbërie Nagavci tejkaloi kompetencat e ministrisë


Arbërie Nagavci

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë të drejtë reformës në arsim të ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastratit, ndërsa ka identifikuar se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e drejtuar nga Arbërie Nagavci, i ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cënuar përgjegjësitë e pushtetit komunal.

Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar si të pranueshme kërkesën e Kastratit kundër vendimit të MASHTI-it të 23 prillit për direktivat e organizmit të mësimit në Komunën e Kamenicës.

Një vendim i tillë i ministrisë, nën udhëheqësinë e Nagavcit, e përjashtonte Reformën në Arsim të nisur nga Qëndron Kastrati.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimin në rastin KO 145/21, të parashtruar nga Komuna e Kamenicës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit [nr.01B/24], të 23 prillit 2021.

“Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, shkruan në vendimin e GJK-së.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës në vitin 2019, riorganizim ky i cili ishte iniciuar përmes vendimeve përkatëse të Kryetarit të Komunës, ndër tjerash, me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.

“Fillimisht, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte konstatuar se vendimet përkatëse ishin nxjerrë në përputhshmëri me ligjet e aplikueshme, përkatësisht kompetencat vetanake të komunave dhe MASHTI kishte inspektuar zbatueshmërinë e këtyre vendimeve”.

“Megjithatë, disa prindër të nxënësve të afektuar kishin refuzuar zbatimin e këtyre vendimeve dhe kishin kontestuar të njëjtat përmes konfliktit administrativ, duke kërkuar edhe nxjerrjen e masave të përkohshme me qëllim të pezullimit të zbatimit të vendimeve të Komunës”.

“Gjykata Supreme, bazuar në shkresat e rastit, kishte refuzuar pezullimin e zbatimit të vendimeve përkatëse”.

“Duke marrë parasysh që një numër nxënësish nuk vijuan mësimin sipas përcaktimeve të vendimeve të Komunës, në vitin 2021, MASHTI kishte formuar një komision për të vlerësuar mos-vijueshmërinë e mësimit nga ana e 441 nxënësve, i cili, ndër tjerash, kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duhet të: (i) ndërmarrin veprime të harmonizuara; dhe (ii) të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla. Megjithatë, MASHTI, nxjerri Vendimin e kontestuar, bazuar në të cilin organizoi “mësimin alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”. Këtë Vendim, Komuna e Kamenicës e kontestoi para Gjykatës, duke pretenduar se përmes tij, MASHTI kishte ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës, dhe rrjedhimisht kishte cenuar përgjegjësitë komunale në kundërshtim me garancitë kushtetuese”, thuhet më tej në lajmërim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore