Kosova

LDK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për caktimin e çmimeve tavan


Driton Selmanaj.

Deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, e kanë dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Selmanaj, në një konferencë për media ka thënë se si parti këtë projektligj e konsiderojnë antikushtetues.

“Vlerësimi ynë, është se ky projektligj është antikushtetues. Kjo iniciativë paraqet një ndërhyrje arbitrare në vlerat e tregut të lirë. Ne i kemi adresuar dhe konkretizuar tri nene të Kushtetusë, është neni 7 ku flet për vlerat, neni 10 i cili flet për organizimin e lirë të tregtisë”, ka thënë Selmanaj.

Ai tutje ka bërë thirrje edhe tek presidentja që ky projektligj të mos miratohet nga ajo.

“E lusim dhe presidenten që të mos e nënshkruaj dhe Gjykata Kushtetuese të merr vendim që ky projektligj të mos kaloj. Sepse, eventualisht nëse kalon ky projektligj atëherë mund të shkaktoj shumë problem në treg”.

Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa.

Në muajin tetor, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, kishte kërkuar që të miratohet ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore.

Ajo sqaroi se ky projektligj në raste të veçanta zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produktet themelore.

“Ky ligj zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore. Ky projektligj ka paraparë masa që do të ndërmerren në raste të veçanta. Duke marrë parasysh rëndësinë e miratimit të këtij projektligji, ju ftoj ta aprovoni sepse një ligj i tillë është aprovuar edhe në shtete të rajonit”, kishte thënë Hajdari.

Kërkimin për miratimin e këtij projektligji e kishte bërë edhe shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Një masë e tillë ishte paralajmëruar edhe më 13 korrik nga ministrja Hajdari.

Dy opsionet që kjo ministri ishte thënë se është duke shqyrtuar është caktimi i marzhës së fitimit ose çmimet tavan.

Pozita kërkon të votohet Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore, opozita e kundërshton

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore