Tanët

Ekipi Olimpik i Kosovës vendoset në Fshatin Olimpik në Tokio


Gjatë ditës së mërkurë, ekipi olimpik i xhudos nga Kosova, ka arritur në Fshatin Olimpik të Tokios, pasi kaluan një javë në komunën e Sanjos duke u përgatitur sa më mirë për Lojërat Olimpike.

Xhudistët kosovarë në krye me trajnerin Driton Kuka, i ka pritur shefi i misionit, Jeton Rudari, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës.

Ata do të vendosen në katin e 11-të, të hotelit i cili është rezervuar për ekipin Olimpik nga Kosova.

Ndërkohë, sot në Fshatin Olimpik kanë arritur edhe boksierja, Donjeta Sadiku, me trajnerin e saj, Besim Brahimi, si dhe trajneri i notit, Besart Shala.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme, janë nisur drejt Tokios edhe grupi i fundit i ekipit olimpik të Kosovës.

Ekipi që u nis, përbëhet nga dy notarët, Eda Zeqiri e Olt Kondirolli, anëtari i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Avni Nuha, kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, si dhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani.

Kujtojmë që Kosova do të përfaqësohet në “Tokyo 2020” me 11 garues, prej të cilëve gjashtë janë me normë olimpike, ndërsa pesë janë të ftuar.

Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” do të fillojën këtë të premtë dhe do të mbajronë më 8 gusht.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore