Përballje

Edi Reja, i detyruar të ndryshojë formacionin në “ndeshjen historike”


Shqipëria do të përballet me Poloninë, në një ndeshje direkte për vendin e dytë të Grupit I, pozicion që siguron play off-in në kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Në këtë ndeshje me rëndësi kaq të madhe, trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, është i detyruar që të ndryshojë skemat e lojës, në krahasim me formacionin që kori fitoren përballë Hungarisë në ndeshjen e fundit.

Katër priten të jenë ndryshimet në krahasim me ndeshjen e madhe të zhvilluar në Budapest. Tri prej tyre janë të detyrueshme, ndërsa njëra pritet të jetë zgjedhje teknike e italianit.

Në gatishmërinë e teknikut italian, nuk do të jenë në dispozicion mbrojtësi Berat Gjimshiti, i cili u lëndua në ndeshjen ndaj Hungarisë, mesfushori Endri Çekiçi, që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, si dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi, i cili së fundmi rezultoi pozitiv me COVID-19 në testet e bëra nga UEFA.

Ndërsa mungesat, që ishin konfirmuar më herët, janë Bekim Balaj dhe Erjon Hoxhallari.

Në dallim nga ndeshja e kaluar, në të cilën Shqipëria u rendit me formacionin 3-4-3, tani me mungesat e konfirmuara Edi Reja do të vendosë skemën 3-5-2.

Në portë tashmë vendin e ka të sigurt portieri Etrit Berisha, i cili do të jetë edhe kapiten, ndërsa në mbrojtje do të luajë Frederic Veseli në vend të të dëmtuarit Gjimshiti.

Ai do të përbëjnë treshen e mbrojtjes me Marash Kumbullën dhe Ardian Isamjlin.

Në mesfushë priten të startojnë katër nga pesë titullarët e përballjes me Hungarinë, me Hysajn e Tashin në krahë dhe Gjasulën e Baren në qendër, kurse Nedim Bajrami do të jetë më i avancuar, ku pritet të luajë nga minuta e parë.

Kurse faza e sulmit pritet të ndryshojë në tërësi.

Pas mungesës së Cikalleshit dhe Çekiçit, sulmi i kuqezinjve tani pritet të rreshtohet me dy futbollistë, Rei Manaj dhe Armando Broja, i cili ishte “asi” i kuqezinjve në ndeshjet e kaluara, duke kontribuar me tri gola dhe po aq asistime në tri ndeshjet e fundit.

Fillimisht Edi Reja tha se Broja kur hyn si zëvendësues në lojë, ka rendiment më të lartë, por siç duket tani tekniku italian do ta ketë detyrim këtë zgjedhje.

Ndërsa, Myrto Uzuni pritet të jetë zëvendësues në këtë takim, i cili në tri takimet e fundit luajti titullar.

Ndeshja Shqipëri- Poloni do të zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania”, ku pritet të ndiqet nga 22 mijë tifozë të pranishëm në stadium, si dhe miliona shqiptarë në mbarë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore