Sport

Edi Martini: Ndeshjet që na presin janë për t’u fituar, jo për futboll të bukur


Trajneri i Teutës, Edi Martini ka folur në prag të ndeshjes që durrsakët do të luajnë me Partizanin ditën e hënë në “Niko Dovana”. Teuta udhëheq Kategorinë Superiore me 62 pikë, tre pikë më shumë se Partizani i vendit të dytë.

Martini tha se sfida përballë Partizanit do të jetë më e rëndësishmja në karrierën e tij si trajner dhe shtoi se ajo ndeshje duhet fituar me patjetër.

“Po, e vërtetë, ndaj Partizanit është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime si trajner. Jemi në një pikë që ne duhet të bëjmë çmos që ta mbyllim kampionatin që këtë javë, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme”, tha tekniku.

“Djemtë mezi e presin këtë ndeshje, kështu që është një ndeshje që duhet ta fitojmë patjetër. Ne jemi në krye dhe normalisht që na presin ndeshje të rëndësishme dhe delikate. Janë ndeshje për t’u fituar, jo për të luajtur futboll të bukur”.

Teuta në këtë ndeshje luan për dy rezultate, pasi diferenca prej tre pikësh me Partizanin e lejon që edhe me barazim të jetë e kënaqur, por tekniku ngulmon se ekipi i tij do kërkojë fitoren.

“Do të kërkojmë nga sekondi i parë e deri në fund për të fituar ndeshjen. Partizani është në presion më tepër, ata duhet të fitojnë me patjetër”, tha Martini.

“Ne luajmë për dy rezultate, ne jemi më të uritur për ta marrë këtë kampionat. Nga fillimi e deri në këtë moment që flasim, ne kemi derdhur shumë djersë dhe kemi bërë shumë sakrifica. Mendoj se ky qytet e meriton një titull në këto momente”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore