Lajme

Edhe 38 milionë euro për rehabilitimin e rrjetit hekurudhor të Kosovës


Ilustrim.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe udhëheqësi i Operacioneve të Bankës Evropiane për Investime për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Matteo Rivellini kanë nënshkruar marrëveshje financiare e financimit shtesë për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10 në Kosovë.

Përmes kësaj marrëveshje në vlerë prej 38 milionë euro synohet rehabilitimi i linjës hekurdhore përkatësisht në sinjalistikë dhe telekomunikacion.

“Rruga hekurudhore 10 është një nga linjat hekurudhore më të rëndësishme që lidh Kosovën me vendet e tjera dhe rehabilitimi i saj mbetet një prioritet i kahershëm. Marrëveshja që ne po nënshkruajmë zyrtarisht sot është e një rëndësie të madhe për të siguruar që ne të jemi të lidhur me partnerët tanë tregtarë dhe për të siguruar lëvizshmërinë midis vendit tonë dhe rajonit”, tha Murati.

Sipas Ministrisë, ky projekt do të ketë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e shpejtësisë së udhëtimit dhe ngritjen e kapaciteteve për pasagjerë dhe mallra.

Po ashtu, investimet në linjën hekurodhe mund të dërojnë në një zhvendosje modale nga transporti rrugor në atë hekurudhor, si dhe të kontribuojnë në ndërlidhjen dhe integrimin e transportit rajonal në korridorin Orient/Lindje-Mesdhe.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe udhëheqësi i Operacioneve të Bankës Evropiane për Investime për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Matteo Rivellini

Rivellini ka thënë se “krijimi i infrastrukturës moderne, të qëndrueshme dhe efikase të transportit është një parakusht për marrëdhënie më të forta ekonomike dhe kushte më të mira jetese”.

Ky projekt veçse ka financim të siguruar, në vlerë mbi 137 milionë euro, nga të cilat rreth 56 milionë janë grant nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor, ndërsa kjo marrëveshje e ngrit financimin e siguruar për këtë projekt në mbi 175 milionë euro.

Përpjekjet për të përmirësuar lidhjen e vetme hekurudhore ndërkombëtare të Kosovës po financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Bashkimi Evropian.

Kur lidhja hekurudhore prej 149 kilometrash të përfundojë, ajo do të lidhë Kosovën me Serbinë në veri dhe Maqedoninë e Veriut në jug duke siguruar kështu një transport më të sigurt të pasagjerëve dhe mallrave.

Punimet do të përfshijnë rinovimin e 35 kilometrave linjë dhe përmirësimin e pesë stacioneve të trenave në përputhje me standardet e Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T).

Ky është projekti i dytë i rehabilitimit trefazor dhe vijon punën në vazhdim në seksionin nga kufiri i Kosovës me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë Kosovë.

Investimi financohet nga një kredi prej 40 milionë euro nga BERZH-i dhe një kredi prej 42 milionë euro nga EIB-i për kompaninë kombëtare të hekurudhave të Kosovës, Infrakos.

Për më tepër, pothuajse gjysma e të gjitha kostove të projektit pritet të mbulohet nga një grant investimi i BE-së prej rreth 83 milionë euro përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Mbi 131 milionë euro kredi nga BE-ja për rehabilitimin e rrjetit hekurudhor të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore