Përballje

Eden Hazard numëron minutat te Real Madrid-i


Duket se lidhja e Eden Hazard me Real Madrid-in po vjen në një fund të hidhur.

Belgu ka disa javë që nuk po merr asnjë minutë te Real Madrid-i, me trajnerin Ancelotti që preferon brazilianët e rinj dhe Marco Asensio-n para tij.

Duke parë këtë gjë, Hazard mund të largohet nga klubi, madje qysh në muajin janar.

Real Madrid-i mund t’ia thotë atij lamtumirën e fundit në janar, me dy skuadra të Premier League që kanë dërguar oferta në drejtim të madrilenëve.

Siç raporton tabloidi anglez ‘Daily Mirror’, skuadrat e interesuara për shërbimet e Eden Hazard janë West Ham United dhe Everton.

Të parët, megjithatë, kanë shfaqur interesim më të madh.

Siç raportohet në media, madrilenët janë të gatshëm të pranojnë një ofertë rreth 30 milionë euro për Eden Hazard.

Këtë shifër, West Ham është në gjendje që ta pagujë, por gjithçka varet nga dëshira e vet futbollistit.

Hazard konsiderohet si një ndër nënshkrimet më të dështuara në histori të klubit madrilen.

Ai u transferua për 120 milionë nga Chelsea te Real Madrid-i, por në vitin e tretë në Madrid, ai ende nuk ka arritur shifrën e pesë golave.

Belgu gjatë gjithë karrierës së tij në Madrid është prekur nga lëndimet, dhe nuk ka arritur asnjëherë potencial e plot.

Kjo, me shumë mundësi, do të sjellë edhe lamturimën e hidhur mes palëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore