Lajme

Dy gota verë – të mjaftueshme për të arritur kufirin ditor të sheqerit


Analiza e më shumë se 30 shisheve verë ka zbuluar se dy gota mund të jenë të mjaftueshme për të arritur kufirin e rekomanduar ditor të sheqerit për të rriturit.

Hulumtimet nga “Alcohol Health Alliance UK” zbuluan se disa shishe kishin deri në 59 g sheqer – më shumë se një krofne me xhem.

Një laborator i pavarur analizoi shishe me verë të kuqe, të bardhë, roze, frutash dhe të gazuar nga markat e njohura në Mbretërinë e Bashkuar.

Asnjë nga shishet nuk përmbante informacione ushqyese në etiketa pasi kjo aktualisht nuk kërkohet me ligj.

Përmbajtja e kalorive u shfaq vetëm në një të pestën e shisheve të analizuara nga laboratori.

Aktivistët po bëjnë thirrje për ndryshim, për të informuar më mirë konsumatorët e verës se sa kalori dhe sa sheqer po konsumojnë.

NHS rekomandon që të rriturit të konsumojnë një maksimum prej 30 g “sheqerna” në ditë, që përfshin sheqerin në lëngjet e frutave dhe pijet e kombinuara me fruta, ose sheqerin e shtuar në ushqim apo pije.

Sipas analizës, po ashtu u zbulua se verërat me forcë më të ulët ishin ndër ato që përmbajnë më shumë sheqer, që do të thotë se ato nuk ishin domosdoshmërisht një zgjedhje e shëndetshme, pavarësisht përmbajtjes së tyre më të ulët të alkoolit.

Etiketimi gjithashtu duhet të identifikojë çdo alergjen të zakonshëm, por nuk ka kërkesa për përbërës, paralajmërime shëndetësore ose vlera ushqyese siç gjenden në shumë produkte të tjera ushqimore dhe pije.

Një sondazh i YouGov me më shumë se 12 mijë njerëz vitin e kaluar zbuloi se 61% dëshironin informacion mbi kaloritë në etiketat e verërave – dhe më shumë se 50% e të anketuarve dëshironin sasinë e sheqerit të listuar.

Në vitin 2020, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mbajti një konsultim nëse kaloritë duhet të renditen në pijet alkoolike – por nuk pati asnjë konsultim nëse duhet të listohet përmbajtja e sheqerit.

Profesori, Sir Ian Gilmore, kryetar i “Alcohol Health Alliance UK”, i quajti rregullat aktuale “absurde”.

Sir Ian Gilmore.

“Blerësit që blejnë qumësht ose lëng portokalli kanë përmbajtjen e sheqerit dhe informacionin ushqyes në majë të gishtave të tyre”, tha ai.

“Por ky informacion nuk kërkohet kur bëhet fjalë për alkoolin – një produkt jo vetëm që nxit obezitetin, por me dëme të përhapura shëndetësore dhe është i lidhur me shtatë lloje kanceri”, shtoi ai.

Miles Beale, i cili kryesonnjë shoqatë verërash, thotë se anëtarët e grupit duan që njerëzit të kenë akses në informacionin ushqyes për të gjitha pijet alkoolike, por sugjeroi që informacioni të bëhet në internet.

“Ne kemi bërë presion që informacioni më i madh të sigurohet në internet. Industria e alkoolit mund t’u ofrojë konsumatorëve një larmi shumë më të madhe informacioni që është më i rëndësishëm për konsumatorët dhe që nuk do të përshtaten në një etiketë”, tha Beale.

“Ka ndryshime të konsiderueshme në numrin e kalorive në pije të ndryshme alkoolike dhe në servione të ndryshme pijesh. Online është mënyra më e mirë për të ofruar volumin dhe shumëllojshmërinë e informacionit që u nevojitet konsumatorëve për të marrë vendime të shpejta dhe të lehta të informuara”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore