Lajme

Dushe me ujë të ftohtë në Hanover si reagim ndaj krizës së gazit rus


Në Hanover të Gjermanisë, për shkak të krizës së gazit rus, në të gjitha ndërtesat publike është ndërprerë ngrohja e ujit.

Tanimë, në to dushet janë vetëm me ujë të ftohtë.

Është qyteti i parë i madh që ndërpret ujin e ngrohtë pasi Rusia uli në mënyrë dramatike furnizimin me gaz të Gjermanisë.

Më herët, gjermanëve u është thënë të presin masa gjithëpërfshirëse për reduktimin e gazit dhe tarifa shtesë në faturat e tyre të energjisë.

Hanover-i, në përpjekje për të kursyer energji, ka vendosur që uji i nxehtë të mos jetë më i disponueshëm për larjen e duarve në ndërtesat publike ose në dushe, pishina, salla sportive dhe palestra.

Edhe shatërvanët s’po vihen më në punë për të kursyer energji dhe nuk do të ketë drita gjatë natës në ndërtesat kryesore si bashkia dhe muzetë.

Kryebashkiaku Belit Onay ka treguar se qëllimi është ulja e konsumit të energjisë së qytetit me 15 për qind si reagim ndaj një “mungese të menjëhershme të gazit” që përbën një sfidë të rëndësishme për qytetet e mëdha.

Përveç ujit, rregulla do të ketë edhe për ngrohjen.

Ndërtesat publike nuk do të kenë ngrohje nga prilli deri në fund të shtatorit të çdo viti, me temperaturat e dhomës të kufizuara në maksimum 20 gradë Celsius për pjesën tjetër të vitit.

Sakaq, politika është në përputhje me njoftimet e Berlinit të javës së kaluar teksa Gjermania garon për të krijuar rezervat e saj përpara dimrit.

Objektivi i reduktimit prej 15 për qind përputhet me objektivin e mbarë BE-së për të reduktuar varësinë nga gazi rus.

Gjermania është mbështetur prej kohësh në gazin rus për nevojat e saj energjetike, por kohët e fundit ka akuzuar Rusinë për kufizimin në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së për luftën në Ukrainë.

Furnizimi me gaz rus tani përbën rreth një të katërtën e nevojave të vendit, krahasuar me më shumë se gjysmën para luftës.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore