Lajme

Dugolli dorëzon dëshmi në Speciale: Prokuroria të nis hetimet për masakrën e Dubravës


Enver Dugolli

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili është edhe i mbijetuari i Masakrës së Dubravës, ka dërguar dëshmi në Gjykatën Speciale dhe ka bërë kërkesë për hetime te Prokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Alex Whiting.

Dugolli përmes një konference për media të shtunën, ka thënë se me këto fakte pret që Zyra e Prokurorisë Speciale të dëshmojë që nuk është një Gjykatë një-etnike, e cila i akuzon vetëm shqiptarët.

Gjykata Speciale, sipas deputetit të LVV-së duhet të dëshmojë që do t’i gjykojë ata që kanë kryer krime të vërteta përmes masakrave të shumta e vrasjeve masive siç ka ndodhur në majin e vitit 1999 në burgun e Dubravës.

“Kërkesa ime është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale që të nis hetimet sepse kam dëshmi të mjaftueshme për t’u zhvilluar hetimet dhe për t’u ngritur aktakuza në lidhje edhe me këtë masakër. Faktet janë se në atë masakër janë ekzekutuar 116 të burgosur dhe një i zhdukur sikurse Ukshin Hoti. Janë dëshmitarët që ende janë gjallë dhe plagët e tyre flasin vet. Madje këta dëshmitarë nuk kanë nevojë as për mbrojtje të identitetit”, ka thënë Dugolli.

Dugolli ndër të tjera ka theksuar se kjo çështje është nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, e cila është e përcaktuar në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Këto dispozita përshkruajnë çështjen nënligjore, juridiksionin kohor, territorial dhe personal të Dhomave të Specializuara. Krimet e kryera gjatë planit dhe kryerjes së masakrës plotësojnë të gjitha kërkesat juridiksionale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore