Lajme

Drejtori i SHSKUK-së: Situata në spitalet e vendit më e qetë


Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka thënë se situata me COVID-19 në spitalet e vendit është më e qetë në krahasim me ditët e kaluara.

Pas takimit të tij me anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë të Kuvendit të Kosovës, Krasniqi ka treguar se në nivel të vendit janë mbi 400  pacientë të hospitalizuar.

“Kemi një situatë shumë më të qetë, më të relaksuar për sa i përket numrit të pacientëve, e cila po na mundëson që të marrim përsëri hapa të tjerë të riorganizimit për ndonjë numër eventualisht që mund të paraqitet në të ardhmen. Në nivel të vendit kemi 426 të hospitalizuar”, ka thënë Krasniqi në një konferencë për media.

Ai ka kërkuar që shtesat për punëtorët shëndetësorë “në bazë të mundësive të jenë sa më të larta”.

“Si SHSKUK, duam ta shohim sa më shpejt Ligjin e Pagave, i cili e zgjedhë përgjithmonë çështjen e pagesave të punonjësve shëndetësor”, është shprehur Krasniqi.

Ai tutje ka treguar se takimi i tij bashkë me kryetaren e bordit kryesues të SHSKUK-së, Greta Gecaj, me komisionin parlamentar për shëndetësi ishte takim i mirë në aspektin e marrjes dhe dhënies së informatave të dyanshme.

“Përveç fokusit të pandemisë COVID-19, ne kemi diskutuar edhe për mbarëvajtjen e përgjithshme të punës në nivel të spitaleve të përgjithshme të QKUK-së, biseduam për listat e pritjes për mënyrën e eliminimit të listës së pritjeve”, përfundoi ai.

Në anën tjetër, Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku ka thënë se do të kujdesen që stafi shëndetësor të marrë shtesa deri në zbatimin e Ligjit për Paga.

Kollçaku shtoi se situata me pandeminë është duke u përmirësuar dhe se ka një rënie drastike të numrit të të infektuarve.

“Do të japim një kontribut për aspektin e financimit edhe në rishikimin e buxhetit për vitin tjetër edhe do të kujdesemi që shtesat për mjekë deri në zbatimin e Ligjit për paga të kenë mbështetjen për stafin shëndetësorë”.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kritikuar në lidhje me procesin e vaksinimit që sipas tij “po bëhet në mënyrë të ngadaltë”.

Mungesa e barnave, kosto e lartë buxhetore për shumë pacientë, mungesa e disa nga shërbimet për shkak të pandemisë, të gjitha këto elemente së bashku sipas Haxhiut “kanë ndikuar në rritjen e listës së pritjes”.

Duke u bazuar në të dhënat e SHSKUK-së, 309 raste janë të konfirmuar me Sars-Cov-2 pozitivë, 31 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 319  janë nën asistim të okisgjeno-terapisë.

Ndërkaq “në QKUK janë të shtrirë 179 pacientë, ku 130 janë të konfirmuar me Sars Cov-2 pozitivë, 14 prej tyre në gjendje të rënduar dhe 145 me oksigjeno-terapi”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Në bazë të statistikave të këtij raporti, klinika më e frekuentuar me pacientë të infektuar me Coronavirus është klinika infektive, me gjithsejtë 77 pacientë duke e lënë pas klinikën e Pulmologjisë, me gjithsejtë 70 pacientë.

“Numri i pacientëve të shtirë, sipas klinikave: klinika infektive, 77 pacientë, klinika infektive II (mjekësia sportive), 15 pacientë, klinika e pulmologjisë, 70 pacientë, klinika e gjinekologjisë, një paciente, mjekimi intensiv-COVID-19,  15 pacientë + 3 në Repartin Intensiv në Klinikën Infektive dhe klinika e pediatrisë me një pacientë”, vijon njoftimi.

Kurse në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 247 pacientë, ku 179 raste janë të konfirmuara pozitivë, 17 raste janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 174 raste me oksigjeno-terapi.

Ndërkohë spitali i komunës së Pejës spitali më i ngarkuar me pacientë të infektuar me COVID-19, ku gjithsejtë 54 pacientë të shtrirë, duke lënë pas spitalin e Gjakovës me 45 persona të shtrirë.

“Numri i pacientëve të shtrirë, sipas spitaleve të përgjithshme, spitali i Prizrenit me gjithsejtë 43 pacientë, spitali i Gjakovës me 45 pacientë, spitali i Pejës me 54 pacientë, spitali i Gjilanit me 35 pacientë, spitali i Ferizajt me 34 pacientë, spitali i Mitrovicës me 28 pacientë dhe spitali i Vushtrrisë me 8 pacientë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore