Lajme

Drejtori i MTS-së pretendon se është shfuqizuar vendimi i ARBK-së për anulimin e licencës së biznesit: Do të operojmë normalisht në Kosovë   


Ilustrim

Drejtori i Përgjithshëm i “Telekom Serbia”, Vladimir Luçiç, ka pretenduar se institucionet kompetente të Kosovës – pa e saktësuar institucionin në fjalë – kanë pranuar ankesën e MTS d.o.o. – degë e operatorit shtetëror të telekomunikacionit “Telekom Serbia” –  duke shfuqizuar vendimin e mëparshëm të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) i cili kishte anuluar licencën e biznesit në fjalë për shkak se “një anëtar i menaxhimentit të kompanisë në fjalë ka pasaportë të lëshuar nga Serbia” dhe shkeljes së rendit kushtetues të Kosovës.

Ky pranim i ankesës, sipas Luçiç, do të thotë se kompania do të vazhdojë të operojë normalisht në Republikën e Kosovës.

“Dje komisioni i shkallës së dytë i ministrisë kompetente të Kosovë e ka anuluar vendimin e ARBK-së. Ajo e pranoi ankesën tonë, e ktheu situatën në gjendjen fillestare, deri në një vendim tjetër”, ka pretenduar Luçiç në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS.

ARBK, sipas Luliç, me këtë vendim është urdhëruar që t’i shqyrtojë të gjitha ndryshimet dhe të dhënat në regjistër në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Brukselit dhe rregulloreve tjera relevante.

“Më duket se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen e Brukselit, kështu që kjo përpjekje e çuditshme për të zhdukur plotësisht kompaninë nuk do të ndodhë më”, ka shtuar ai.

Vladimir Luçiç

Autoritetet në Kosovë deri më tani nuk i kanë konfirmuar pretendimet e Luçiç-it.

MTS d.o.o. është kompani e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë nga viti 2015, si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në fund të vitit 2016, kjo kompani mori licencën për të operuar sipas ligjeve të Kosovës.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës pretendoi se kjo kompani, sikurse edhe dhjetëra kompani të tjera, shkelin rendin kushtetues të Kosovës për shkak se dosjet e tyre përmbajnë dokumente, në të cilat qytetet e Kosovës përmenden si pjesë e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore