Shqipëria

Dorëzohet kallëzimi në SPAK ndaj Berishës dhe Bashës për “21 janarin”


Ministri shqiptar i Drejtësisë, Ulsi Manja ka dorëzuar të hënën e 23 janarit në SPAK, kallëzimin për Sali Berishën, si ish-kryeministër dhe Lulzim Bashën si ish-ministër të Brendshëm.

Kjo, për vrasje në rrethana të tjera cilësuese më 21 janar të vitit 2011 gjatë protestave anti-qeveritare.

Mes të kallëzuarve është edhe ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi.

“Është ora që SPAK të bëjë drejtësi për 21 janarin, i cili nuk është hetuar asnjë ditë si vrasje shtetërore”.

Kështu deklaroi më herët zyrtari shqiptar, i cili iu referua transkripteve të publikuara të komunikimit radio, ku citohej gatishmëria për zjarr.

Sipas Manjës, fakti i bërë publik tregon se ka pasur një zinxhirë komandues dhe urdhërues për të qëlluar mbi protestuesit.

“I takon Prokurorisë të fillojë hetimet për vrasje shtetërore. SPAK-u duhet t’u japë përgjigje familjarëve të viktimave”.

Ministri theksoi se, nuk i takon atij për të folur për vërtetësinë e provës së publikuar, por se ajo duhet të merret nga SPAK-u dhe të vërtetohet.

I pyetur nga gazetarët se pse pas 12 vitesh do të ketë një kallëzim, Manja tha se padia vjen pas provës së re të dalë në dritë.

Ai shtoi se ish-kryeministri Sali Berisha për 12 vite me radhë ka deklaruar se protestuesit i vrau “Garda e Republikës që sipas tij mbrojtën Kryeministrinë nga 4 qytetarë që po qëndronin me duar në xhepa”.

“Drejtësia duhet të bëjë detyrën për të qetësuar shpirtrat e viktimave”, tha Manja, i cili u shpreh se prokurorët duhet ta risjellin ndërtimin e ngjarjes.

Hetimi për 21 janarin, për ministrin e Drejtësisë, do të jetë edhe një gur themeli për demokracinë në vend.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.

Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.

Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.

Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.

Rihapja e dosjes

Ka qenë policia e Tiranës, e cila më 21 janar 2021, në 10-vjetorin e ngjarjes, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e “21 janarit”.

Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.

Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.

Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar.

12 vite harresë brenda heshtjes 1-vjeçare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore