Shqipëria

12 vite harresë brenda heshtjes 1-vjeçare


21 janari i 2023-it përkoi e shtunë, por atë ditë ishte e premte.

24 orë regres ndoshta nuk do i mjaftojnë kujtimeve për të afruar harresën e kryeqytetit që banoi dhunën e përshkallëzuar në vrasje.

Tirana në muzgun e ngjashëm të filmit të Christopher Nolan, “Insomnia”, provoi errësirën më të gjatë të një dite në historinë e saj moderne.

Peng i barkut të diellit që nuk u shfaq për katër ditë, ishin katër viktima në mesin e institucioneve shtetërore.

Mu në pragun e godinës më të survejuar dhe më të mbrojtur të qeverisë shqiptare.

Dhjetëra të plagosur në përleshje antiqeveritare jashtë zyrës së kryeministrit të kohës Sali Berisha.

Kryeministria e kthyer në fortesë qëndronte e rrethuar nga tymi i makinave që digjeshin te Piramida e Tiranës.

Bulevardi ishte zhveshur nga tullat e shëtitores dhe ishte kthyer në një arenë të përgjakshme mes çadrave të thata të demonstruesve dhe shkopinjve të gomës që rrëkëllenin duar hera-herës mes policëve dhe qytetarëve.

Mllefi, urrejtja dhe zemërimi i dhunshëm i 20 mijë qytetarëve kishin pezulluar edhe shiun.

Zyrtarët shtetërorë të shëndetësisë do të konfirmonin se katër personat kishin vdekur nga plagët me armë zjarri gjatë përleshjeve dhe trazirave.

Rreth 30 civilë dhe 25 policë dhe oficerë të gardës kombëtare do të mbesnin po ashtu të plagosur.

Berisha përdori një krahasim të pazakontë dhe të pangjashëm asokohe duke i përafruar protestat me një kryengritje të stilit Tunizian.

“Fëmijët bastardë të vetë Ben Alis të Shqipërisë konceptuan skenarë tunizianë … për ju qytetarët e Shqipërisë”, tha ai, duke krahasuar kundërshtarët e tij politikë socialistë me presidentin e rrëzuar tunizian Zine El Abidine Ben Ali.

Përleshjet dhe trazirat e dhunshme ishin më të rënduarat që nga sulmi në ndërtesën e qeverisë pas vdekjes së Azem Hajdarit në vitin 1998.

“Shqipëria nuk është në gjendje të jashtëzakonshme dhe nuk do të kalojë në gjendje të jashtëzakonshme. Por skenarët e dhunës nuk do të tolerohen”, kumbonte pa iu dridhur zëri Berisha.

Mijëra protestues kishin mbushur bulevardin kryesor për të kërkuar nga Berisha që të shpallte zgjedhje të parakohshme pasi Ilir Meta, në postin e zëvendës kryeministrit, dha dorëheqjen për një skandal të dyshuar korrupsioni në fillim të asaj jave.

Skandali shpërtheu pasi një stacion televiziv transmetoi një video ku dyshohet se Meta i kërkonte Dritan Priftit që të ndikojë në dhënien e kontratës për ndërtimin e një termocentrali.

Ndërsa ra nata, qindra policë dhe oficerë të gardës kombëtare përshkuan qendrën e kryeqytetit, duke rrahur protestuesit me shkopinj dhe duke arrestuar dhjetëra të rinj.

Në një deklaratë, SHBA-të, OSBE-ja dhe Bashkimi Evropian do të shprehnin “keqardhje të thellë” për dhunën.

Presidenti Bamir Topi u kërkoi udhëheqësve politikë rivalë që të nisnin një dialog urgjent për të qetësuar tensionin.

Edhe Edi Rama, në rolin e liderit të opozitës, bëri thirrje për qetësi, por tha se edhe Berisha duhet të dëgjonte mesazhin nga protesta masive.

Heshtje…

Aktorët politikë nuk kanë ndryshuar pas 12 vitesh por kanë pasur një rokadë pushtetesh. Mbetet po e njëjtë edhe kërkesa e pandërprerë për drejtësinë mbi katër vrasjet e 21 janarit 2011.

Kujtojmë që gjykata i ka vlerësuar vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt se kanë ndodhur nga pakujdesia.

Ajo dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.

Familja e njërit prej viktimave, Aleks Nika ka bërë me dije kohë më parë se e ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla do të reagonte 24 orë më parë, lidhur me deklaratat të kreut të PD-së Sali Berisha për 21 janarin.

Përfaqësuesi socialist i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës që dosjen e vrasjes së Aleks Nikës t’ia kalojë SPAK-ut.

“Dua të theksoj se dosja në ngarkim të zyrtarëve më të lartë të asaj kohe, jo vetëm gardës së Republikës, jo vetëm Ministrisë së Brendshme por edhe atyre në krye të qeverisë, fakti është që një prej katër dëshmorëve Aleks Nika dosja e vrasjes së të cilit është një dosje e pa mbyllur”.

Sipas tij, ka pasur dëmtime me dashje të provave gjatë vitit 2011 qoftë nga predha e gjendur në trupin e të ndjerit, por edhe elementë të tjera.

“Në vlerësimin tim edhe apeli im është që në 12 vjetorin e këtij krimi, dosja në ngarkim të personave të përfshirë në vrasjen e Aleks Nikës dhe ky krim të mos hetohet më nga Prokuroria e Tiranës, por t’i kalojë SPAK-ut”.

Më herët, Berisha në rolin e kryeopozitarit, do të shprehej se protestuesit u sollën asokohe nga Edi Rama dhe qëlluan me armë drejt dritares së zyrës së tij ku po punonte.

“21 janari është akt anti-kushtetues, i Edi Ramës dhe grupit të tij. Ka një deklaratë të kryesisë së radhës së OSBE-së asokohe që shprehet qartë, tensionet për pushtet të atij puçi. 21 janari ka një zhvillim dramatik, 4 të vrarë. U përdorën të gjitha mjetet e dhunës, përfshirë armët e zjarrit dhe plumbat në dritaren e zyrës së kryeministrit, që ai po punonte aty”.

Në heshtjen e vitit që lamë pas, një prej gjyqtareve në çështjen e 21 janarit Ariana Caco, u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas problemeve të hasura me të tre kriteret e komisionit të vetingut në Shqipëri.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të kërkonte në muajin maj hetimin e Berishës nga ana e SPAK-ut për ngjarje si “21 janari” apo “Gërdeci”.

“Të hetohet 21 janari, krimi shtetëror nuk parashkruhet, deri në fund nëse është apo nuk është, këtë do ta tregojë hetimi. Krim shtetëror që të vriten katër persona me plumba të vërtetë. Të hetohet Gërdeci”.

Drejtësia në reformim e sipër ka provuar se mund të arrestojë zyrtarë të lartë dhe ish-ministra, por nuk po i jep ende përgjigje të saktë pas një dekade çeshtjeve si “21 janari” dhe “Gërdeci”.

A do t’i japë ndonjëherë vallë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore