Zgjedhjet në Kosovë

Dorëhiqet Isa Mustafa


Kryetari i deritanishëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka ofruar dorëheqje nga pozita e të parit të partisë.

Mustafa në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së tha se “në shenjë të respektimit të votës së qytetarëve sot e kam njoftuar kryesinë që do ta thërrasë kuvendin për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së në një periudhë të shpejtë kohore”.

Ai është shprehur i zhgënjyer me rezultatin, duke e konsideruar si “shumë i keq”.

“Personalisht mendoj që rezultati është shumë i keq dhe nuk e kam pritur fare, duke marrë parasysh takimet në terren dhe fushatën e Hotit”, tha Mustafa në konferencë për media.

Përveç Mustafës, besohet se dorëheqje do të japë e gjithë kryesia e Lidhjes Demokratike.

Të paktën kështu ka lënë të nënkuptohet, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, që ishte bashkë me Mustafën në konferencë.

“Ne jemi kryesi në dorëheqje”, ka deklaruar Haziri.

Isa Mustafa ka ushtruar detyrën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga viti 2010, kur në kuvendin e VII zgjedhor të LDK-së ai fitoi me 234 vota në garën për të parin e partisë.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka fituar në asnjë komunë, si dhe ka pësuar disfatë edhe në komunat ku udhëheqin zyrtarë të këtij subjekti politik.

Në këto zgjedhje, LDK-ja konsiderohet të ketë shënuar humbjen më të thellë ndonjëherë.

Në numërimin e 99.23% të votave, LDK-ja radhitet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore