Jetesë & Stil

Doja Cat përballet me kritika masive për lidhjen e saj me Jeffrey Cyrus


Pavarësisht historisë së saj mbresëlënëse për të kapërcyer vështirësitë gjatë gjithë karrierës së saj, rep artistja, Doja Cat aktualisht po përballet me një reagim të ashpër që kërcënon të gërryejë bazën e saj të fuqishme të fansave.

Pas shpalljes së turneut të ri “The Scarlett Tour”, ajo e gjeti veten në sy të një stuhie të nxitur nga shqetësimet e fansave të saj për lidhjen e saj të re, shkruan Billboard, transmeton AlbanianPost.

Në fillim të këtij viti, ylli i hitit “Attention” u pa duke pushuar me Jeffrey Cyrus dhe siç u zbulua përmes mediave sociale komediani, “akuzohet” për një mori veprash jo të hijshme, përfshirë komentet raciste dhe ngacmimet e abuzimet seksuale me shumë gra.

Ky fakt duket të jetë një problem i madh për fansat e Doja Cat, ose thënë më mirë – “një kafshatë që nuk përtypet lehtë” – kësisoj, edhe komentet në mediat sociale zor se kishin të ndalur, kritikat fluturonin kudo.

Doja Cat dhe J. Cyrus.

“Më falni Doja Cat, që po të informoj, por burri yt ka abuzuar dhe përfituar nga shumë gra”, ka shkruar një ndjekës i yllit në Twitter, derisa një tjetër kishte një pyetje ironike – “Ke kaq shumë njerëz në botë dhe t’i gjete një kalibër mashkulli të tillë për tu lidhur? Si e bën këtë?”.

E komentet e fansave duket se nuk kanë shpëtuar nga fokusi i Doja Cat, pasi kjo e fundit, ka nisur edhe bllokimin e të gjithë atyre që “e teprojnë” me ”akuza ofenduese”.

“Doja Cat që bllokon njerëzit që e pyesin pse është në një marrëdhënie me një racist e ngacmues seksual është e tmerrshme, por jo e habitshme. Ajo është e njëjta grua që po tallej në mënyrë aktive me Amber Heard në TikTok dhe Instagram”, shkroi një i tretë.

Deri më tani, këngëtarja ka qëndruar e mbyllur, duke zgjedhur të mos trajtojë publikisht temën e nxehtë mbi lidhjen e saj, e as kritikat që rezultojnë.

Pavarësisht reagimeve të pamëshirshme dhe thirrjeve që ajo t’i japë fund romancës me J.Cyrus, Doja Cat ende nuk e ka pranuar publikisht situatën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore