Lajme

Dodik: “Do mbajmë referendum për shkëputje, s’lejojmë të trajtohemi s’i serbët e Kosovës”


Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, ka thënë se deri në fund të këtij viti do mbahet referendum për shkëputjen e Republikës Srpska nga BeH.

“Republika Srpska mund të organizojë një referendum për statusin e saj dhe se si do të vazhdojë deri në vitin e ri. Ne do të luftojmë në mënyrën tonë politike, derisa të miratohet ligji për Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, i cili do t’i kthejë autoritetin atij institucioni”, shkroi ai në Twitter.

Ai ka theksuar se Republika Srpska nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mbrojtja e pozicionit të saj.

Sipas Dodik, vendimi i Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt, që mos të hyjë në fuqi ligji për mospublikimin e vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, i miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, si dhe ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së, do të ndiqem penalisht.

 

“Së shpejti do të merren vendime për ndalimin e funksionimit të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë-Hercegovinës në territorin e Srpska-s, sepse nuk kanë bazë kushtetuese. Ne nuk do të tolerojmë protektoratin dhe kolonializmin. Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka ndryshuar sistemin politik dhe sjellja që çon në shumicë është e dukshme, njësoj si për serbët në Kosovë”.

“Ne nuk duam një konflikt dhe unë e shoh rolin e NATO-s për të garantuar paqen dhe ndoshta për të ardhur në vijën e demarkacionit ndër entitete në rast të një situate të nxehur politikisht”.

Dodik ka theksuar se “nuk kemi kujt të ankohemi”, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese është një gjykatë inkuizicioni dhe një gjykatë e bashkësisë ndërkombëtare, jo e BeH.

“Gjeneruesit e problemit janë në Sarajevë, Amerikë, Britani e Madhe dhe BE. Për ta, Republika Srpska është e mirë vetëm kur është e dobët”, ka pretenduar ai.

Schmidt anulon ligjet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska

Të shtunën, Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka vendosur lidhur me ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH në territorin e Republikës Srpska, të miratuar nga Asambleja Kombëtare e RS, bazuar në kompetencat e Bonit (të parapara në Marrëveshjen e Dejtonit, më 1995, e cila i dha fund luftës në BeH)

Ai ka vendosur se nuk do të hyjë në fuqi ligji për mospublikimin e vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, i miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, si dhe ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

“Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të BeH-së, dhe rrjedhimisht Marrëveshjen e Dejtonit. Institucionet e entitetit nuk kanë të drejtë të devijojnë nga vendimet e institucioneve shtetërore, si dhe të devijojnë nga institucionet e bazuara në Kushtetutën e BeH-së”, theksoi Schmidt, duke komentuar ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH për territorin e RS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore