Lajme

Schmidt anulon ligjet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska


Christian Schmidt

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka vendosur këtë të shtune lidhur me ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH në territorin e Republikës Srpska, të miratuar nga Asambleja Kombëtare e RS, bazuar në kompetencat e Bonit (të parapara në Marrëveshjen e Dejtonit, më 1995, e cila i dha fund luftës në BeH)

Ai ka vendosur se nuk do të hyjë në fuqi ligji për mospublikimin e vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, i miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, si dhe ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

“Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të BeH-së, dhe rrjedhimisht Marrëveshjen e Dejtonit. Institucionet e entitetit nuk kanë të drejtë të devijojnë nga vendimet e institucioneve shtetërore, si dhe të devijojnë nga institucionet e bazuara në Kushtetutën e BeH-së”, theksoi Schmidt, duke komentuar ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH për territorin e RS.

“Pasojat më të mëdha të aventurizmit të tillë të liderëve politikë në RS do t’i vuajnë banorët e RS-së”, potencoi ai.

Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë njoftoi se ka marrë një vendim për ndryshimet në Kodin Penal, i cili sanksionon sulmin ndaj rendit kushtetues në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Më lejoni të bëj një paralajmërim. Të gjitha opsionet janë në tryezë dhe ju të gjithë e dini shumë mirë se çfarë përfshijnë fuqitë e Bonit në dispozicionin tim”, paralajmëroi Schmidt.

Në konferencën për shtyp që ka mbajtur ai nuk ka specifikuar saktësisht se cilat dispozita të Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës po ndryshon, por mediat boshnjake supozojnë se bëhet fjalë për artikuj që flasin për sulm ndaj rendit kushtetues, për tentativat për të shkëputur me forcë një pjesë të vendit dhe për dobësimin e fuqisë ushtarake të shtetit.

Ndërsa, një informacion ende i pakonfirmuar ka dalë se secila prej këtyre veprave duhet të dënohet me të paktën pesë vjet burg.

“Në këtë mënyrë zbatoj pjesërisht një nga 14 prioritetet e opinionit të Komisionit Evropian, që është sigurimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Me vendimet e mia sot kam kontribuar në zbatimin e këtyre vendimeve. Kjo do të sigurojë gjithashtu që banorët nga e gjithë BeH të përdorin të drejtën për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese të BeH, sepse për shkak të sjelljes së përfaqësuesve politikë në RS, banorët e RS dhe një pjesë të rrethit Brçko’s u penguan ta bëjnë këtë”, shtoi Schmidt.

Tutje, Schmidt deklaroi veçanërisht se këto vendime nuk prekin strukturën e brendshme të BeH dhe se bashkësia ndërkombëtare respekton parimin e Dejtonit se BeH është një shtet me dy entitete dhe tre popuj (boshnjak, kroat dhe serb).

Ndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit, nëpërmjet një komunikate për media të enjten, ka thënë se vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë – për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës përfaqëson përshkallëzim të rrezikshëm të kërcënimeve secesioniste.

“Ky ligj shkel Kushtetutën e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe bie ndesh me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Sfidimi i Gjykatës Kushtetuese kërcënon jo vetëm sundimin e ligjit, por edhe stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Bosnje dhe Hercegovinës”, thuhet në komunikatën e DASH-it.

Lexo edhe këtë: Dodik për deklaratën e DASH-it: Shkelje e sovranitetit, janë përgjegjës për situatën në BeH

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multi-etnik të Bosnjë dhe Hercegovinës. Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës për veprimet e tyre individët e përfshirë në aktivitete që kundërshtojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”.

DASH: Marrëveshja e Dejtonit nën kërcënim, do t’i mbajmë përgjegjës individët anti-Dejton

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore