Kosova

Do t’i ndalohet Albin Kurtit garimi në zgjedhje?


Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka sqaruar sot qëndrimin e saj mbi mundësinë e kandidimit të Albin Kurtit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

Ky sqarim ka ardhur pas publikimit të aktgjykimit të plotë të ish-deputetit Etem Arifi. Vota vendimtare e Arifit për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, u hodh poshtë nga Kushtetuesja. Shkak u bë dënimi për veprën penale të mashtrimit me subvencione që Gjykata e Prishtinës i dha Arifit në mars 2020.

Ky vendim solli rrëzimin e Qeverisë Hoti, duke e çuar Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

A do mund të kandidojë Albin Kurti?

Duke marrë shkas nga vendimi për deputetin Arifi, janë hedhur hamendësime edhe mbi mundësinë e kandidimit të Kurtit. Ky i fundit ka një dënim nga Gjykata e Prishtinës në 2018-ën, për përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend.

Kushtetuesja, ndërkohë, ka publikuar vendimin e saj të plotë sot. Në pikën 297 të tij, thuhet se “asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sipas parashikimeve në ligj”.

Sipas arsyetimit, ka një aktgjykim të 19 shtatorit 2017 të Gjykatës Supreme. Në aktgjykim, thuhet se “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor”.

Pra, nëse në dënimin e personit nuk përmendet heqja e të drejtës për t’u zgjedhur, atëherë ai mund të garojë.

Nga ana tjetër, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk e kërkon këtë klauzolë. Pavarësisht faktit nëse “heqja e të drejtës për t’u zgjedhur” përmendet apo jo, nëse dikush është shpallur fajtor për një vepër penale tre vitet e fundit përpara zgjedhjeve, atëherë ai nuk mund të garojë.

Në ligj përfshihet edhe heqja e të drejtës për t’u zgjedhur me vendim gjykate.

Arsyetimet nuk përputhen njëri me tjetrin. Aktgjykimi i Kushtetueses lë ende të hapur çdo mundësi mbi figurën e Kurtit.

Vendimi për ta lejuar ose jo të kandidojë i takon në fund KQZ-së./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore