Shqipëria

Do të restaurohet Xhamia Historike e Plumbit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, inspektuan Xhaminë Historike të Plumbit në Shkodër, ku do të fillojë zbatimi i projektit të restaurimit, si dhe transformimi i mjedisit përreth.

Xhamia u ndërtua në 1773 nga Mehmet Pashë Bushati, me gurë lokalë. Këta gurë janë një nga elementët kryesorë për mbarëvajtjen e xhamisë, e cila është përmbytur disa herë.

Ndonëse Xhamia është mbuluar nga uji në nivele shumë të larta, struktura ka reaguar shumë mirë.

Ministrja e Kulturës deklaroi se nuk do të ketë tjetërsime gjatë restaurimit, pasi “do të ruhen të gjithë elementët, do t’u rikthehet qytetarëve dhe do të jetë totalisht funksionale”.

“Kjo ishte një kërkesë prej kohësh, të cilën e kisha bërë për të mbështetur rindërtimin e disa xhamive që janë monumente kulture të jashtëzakonshme. Kjo është një nga ato. Më në fund do të realizohet. Problematika ka qenë e lidhur me gjithë terrenin. Është gjetur zgjidhje”, deklaroi kryeministri.

Për të respektuar ritet, Rama hoqi atletet para se të futej në xhami. Ndër të tjera, ai bëri edhe një batutë, duke thënë se “erdhi një katolik si ai për të rregulluar xhaminë”.

“Përtej besimit të drejtpërdrejtë, feja është kulturë dhe histori”, tha, ndër të tjera, Rama.

Kreu i qeverisë sugjeroi krijimin e një parku në ambientin e jashtëm, ku mund të mbillen të gjitha bimët apo pemët që shkruhen në Kuran. Kjo xhami bën pjesë në projektet e restaurimit nga qeveria turke.

Rikujtojmë se, gjatë regjimit komunist, objektet e kultit që i rezistuan rrënimit ishin shumë pak.

Një ndër objektet, që i mbijetoi regjimit, ishte Xhamia e Plumbit në Shkodër. Kjo xhami është monument kulture i kategorisë së parë në vendin tonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore