Zgjedhjet në Kosovë

DnV kërkon përmbajtje deri në shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ-ja


Demokracia në Veprim (DnV).

Demokracia në Veprim (DnV), përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se procesi i sotëm i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë, por me pjesëmarrje më të ulët të qytetarëve në zgjedhje krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve lokale.

“Në pjesën e pasdites janë vërejtur lëvizje të eksponentëve të subjekteve politike në lokacione të caktuara, përfshirë kryeministrin e vendit, gjë që mund të interpretohet si ushtrim i ndikimit mbi vullnetin e votuesve”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa, ka bërë të ditur se nuk ka pasur ndonjë incident serioz brenda vendvotimeve, që do të mund ta cenonte integritetin apo kredibilitetin e procesit.

Por, që ka pasur mungesë të respektimit të masave anti-COVID.

“Gjatë tërë ditës së votimit, është regjistruar një trend përgjithësisht linear i pjesëmarrjes në votime, pa ndonjë fluks të theksuar të votueseve në qendra të votimit. Respektimi i masave mbrojtëse kundër Covid 19 ka qenë i mangët, sidomos nga votuesit në zonat rurale, por duke mos përjashtuar edhe stafin zgjedhor”.

Eugen Cakolli nga DnV.

Gjatë procesit të votimit është raportuar edhe për kufizim të mediave gjatë vëzhgimit të procesit.

“Është vërejtur interes i shtuar i mediumeve dhe organizatave për të matur disponimin e votuesve përmes administrimit të exit polleve në dalje të qendrave të votimit. Është raportuar edhe për kufizim të disa mediave në vëzhgimin e mbarëvajtjes së procesit brenda vendvotimeve”.

Sipas DnV, “edhe ky proces është përcjellë nga probleme të cilat janë përsëritur në të gjitha proceset zgjedhore paraprake. Pasaktësitë në listën e votuesve (rreth 50% e vendvotimeve), dhe trendi tejet i lartë i votimit me asistencë (mbi 90% e vendvotimeve) janë dy fenomenet më të shprehura në raundin e dytë të zgjedhjeve”.

Mirëpo, ka pasur raste më të ulëta të fotografimit të fletëvotimeve në këtë procese zgjedhore

“Vlen të theksohet se në këtë proces zgjedhor rastet e fotografimit të votës kanë shënuar rënie të ndjeshme, krahasuar me proceset paraprake zgjedhore, ku ky fenomen ka qenë shumë i shprehur”.

Kurse, ka apeluar për kujdes dhe vëmendje të shtuar nga ana e stafit zgjedhor për të garantuar reflektim të drejtë të vullnetit qytetar.

“Po ashtu, ftojmë subjektet politike dhe mbështetësit e tyre që të mos shpallin fitoret eventuale bazuar në burime jozyrtare, por të presin shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ-ja”, thuhet tutje në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore