Sport

Djokovic në finalen e 9-të


Novak u kualifikua në finalen e Australian Open për herë të nëntë në karrierën e tij [i 28-ti në nivel Grand Slam-i]. Serbi mundi talentin rus Aslan Karatsev (nr. 114 në botë), në tre sete 6-3, 6-4, 6-2; në më pak se dy orë.

Për Djokovic kjo ishte fitorja e 81-të në Melbourne [e 20-ta radhazi] nga 89 ndeshjet e zhvilluara. Ndeshja u zhvillua në prani të mbi 7,000 spektatorëve në Rod Laver Arena; hera e parë pas pesë ditë dyersh të mbyllura për shkak të Covid.

Me largimin e Rafael Nadal në çerekfinale, Djokovic është i sigurtë se më 8 Mars ai do të fillojë javën e tij të 311-të si numri 1 i botës, duke thyer rekordin e mbajtur aktualisht nga Roger Federer.

Në rast të një fitoreje në finale, për serbin do të ishte titulli i 9-të në Australian Open. Kjo do ta bënte atë lojtarin e dytë që fiton të njëjtin Grand Slam kaq shumë here, pas Rafa Nadal, i cili ka triumfuar trembëdhjetë herë në Roland Garros.

Në finale Djokovic do të takohet me fituesin e ndeshjes midis Tsitsipas dhe Medvedev, të planifikuar për të premten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore