Lajme

Dita Botërore e Shëndetit Mendor – Prishtina do të angazhojë 25 psikologë në shkolla


Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës në ditën botërore të shëndetit mendor ka marr vendim që të angazhoj 25 psikologë të rinj në shkolla fillore e të mesme.

Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besiana Musmurati.

“Deri më sot Prishtina ka pasur të punësuar 12 psikolog të shkollave, shumica e psikologëve kanë qenë të punësuar gjatë vitit 2007. Prishtina ka vetëm 12 psikologë përderisa i ka pothuajse 40 mijë nxënës”, ka thënë Musmurati.

Ajo tutje ka shtuar se ka shkolla të cilat nuk kanë pasur fare psikolog, veçanërisht shkollat e mesme në Prishtinë.

“Temën e sigurisë në shkolla e kam trajtuar me seriozitetin më të madh. Për shkak se siguria në shkolla, qoftë siguria fizike qoftë ajo emocionale e nxënësve është temë tejet me rëndësi”.

“Mbylljet e gjata gjatë pandemisë si dhe pasiguria që e kemi pasur në familjet tona kanë ndikuar që ne të kemi një rritje të dhunës qoftë në familje, qoftë edhe në shkollë. Raportet gjithandej në botë tregojnë që edhe bullizimi është një fenomen në ngritje edhe qoftë bullizimi fizik qoftë ai kibernetik online, prandaj edhe institucionet duhet të reagojnë”.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besiana Musmurati.

Edhe klubi “Dëshira”, i cili përkujdeset për personat me aftësi të kufizuar mendore në Prishtinë, ka organizuar aktivitet për shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.

Drejtori i kësaj organizate, Nusret Shillova, ka deklaruar se qëllimi i tyre është përkrahja dhe rritja e nivelit të vetëdijesimit të popullatës.

“Qëllimi i kësaj ngjarje ka të bëjë me rritjen e përkrahjes për personat me aftësi të kufizuar mendore, dhe rritjen e nivelit të vetëdijesimit të popullatës për këtë komunitet. I bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse për shtimin e vëmendjes në trajtimin e merituar dhe pranimin e personave me probleme mendore dhe dëmtime intelektuale si pjesë e barabartë e shoqërisë”.

“Në Komunën e Prishtinës nga organizatën jonë janë të evidentuar rreth 200 persona me këto probleme”, tha Shillova.

Kryetari i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu u shpreh se Kuvendi i Kosovës ka aprovuar një ligj për shëndetin mendor, por që sipas tij, ky ligj ende nuk ka gjetur zbatim të plotë.

Aktiviteti i mbajtur në Prishtinë për nder të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.

Teksa bëri thirrje tek Qeveria që sa më shpejt të fillojë zbatimin e këtij ligji.

“Shëndeti mendor duhet të jetë prioritet i institucioneve. Kuvendi i Kosovës ka aprovuar Ligjin për Shëndetin Mendor, por ky ligj ende nuk ka gjetur zbatim të plotë, është ende në procedura zbatimit, prandaj iu bëjë thirrje institucioneve, Qeverisë që të fillojë zbatimin e këtyre mekanizmave ligjorë, sepse kjo ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e këtyre personave”, tha Kadriu.

Në muajin shtator të vitit 2021, Albanian Post kishte realizuar një video-story për shëndetin mendor dhe kujdesin që duhet bërë ndaj tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore