Lajme

Dhoma e Tregtisë, Qeverisë: Ekzekutoni pagesat përmes ‘SuperPunës’, bizneset s’duhet të hyjnë në borxhe dhe të presin kompensim në data të pacaktuara


Foto: Albanian Post

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëhet menjëherë ekzekutimi i menjëhershëm i pagesave për të gjitha bizneset të cilat tashmë kanë rekrutuar staf përmes platformës ‘Superpuna’.

Përmes një komunikate për media nga ky institucion është thënë se akoma nuk kanë pranuar pagesat për punëtorët e rekrutuar.

“Aktualisht, subvencionimi nga Qeveria bëhet me një muaj diferencë, ngase deklarimi i punëtorëve në ATK bëhet deri më datë 15 të muajit vijues të angazhimit. Pra, për punëtorët e angazhuar në muajin mars, deklarimi në ATK bëhet deri më 15 prill”.

“Proces ky i cili po zvarritet, konkretisht tek në muajin maj është bërë subvencionimi i kompanive për muajt shkurt dhe mars”, thuhet në komunikatë.

Tutje është thënë se ky proces po ashtu duhet të thjeshtësohet.

“Duke pasur parasysh kostot rreth përgatitjes së kërkesës, aprovimit, pagesës e tek me vonë kompensimit, ne mendojmë se ky proces do të duhej të thjeshtësohet duke bërë që autoritetet të paguajnë praktikantët direkt në vend se të përllogaritet pensioni e taksa bashkë me shumën e subvencionuar e cila për nga natyra nuk do të duhet të ishte e tatueshme”.

Ndërsa, vlerësohet se bizneset nuk duhet të detyrohen të hyjnë në borxhe në banka për të kryer paga dhe më vonë të presin kompensimin nga Qeveria me data të paqarta.

“Për më tepër të gjitha kompanitë për të punësuar staf përmes platformës Superpuna, duhet të mos kenë obligime në Administratën Tatimore të Kosovës, sfidë që e kanë shumica e bizneseve në këtë situatë të jashtëzakonshme për të bërit biznes”.

Në muajin mars ministri i Financave kishte bërë të ditur se përmes “superpunës” janë punësuar mbi 1 mijë të rinj.

Nëse i keni 18 vjet dhe nuk jeni punësuar akoma, asnjëherë, Qeveria e Kosovës ka menduar për ju.

Përmes platformës online “superpuna”, të gjithë punëkërkuesit të cilët nuk kanë pasur kontratë pune paraprake dhe këtë e bëjnë për herë të parë, përmes platformës, Qeveria do të subvencionojë 264 euro rrogë për 6 muajt e parë të punës, në kompaninë që e gjejnë po përmes kësaj platforme.

Derisa në përgjithësi është parë si një politikë e mirë e qeverisë, ka pasur edhe skeptikë të ndryshëm për platformën dhe për atë se kush realisht fiton nga kjo politikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore