Sport

Derbi i Anamoravës do të zhvillohet


Fusha me bar sintetik në Gjilan ishte djegur në mbrëmjen e kaluar, gjë që vuri në dyshim zhvillimin e ndeshjes mes Dritës dhe Gjilanit, që ishte planifikuar të luhej sot (e mërkurë) me fillim nga ora 15:00.

Megjithatë, kjo ndeshje do të zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar.

Lajmin e ka bërë të ditur klubi i Dritës, të cilët përmes një njoftimi në faqen e tyre zyrtare, konfirmuan se derbi do të zhvillohet, kjo falë ndihmës së FFK-së.

“Pas raportimeve se zhvillimi i ndeshjes së sotme është në pikëpyetje, ju njoftojmë se ndeshja do të zhvillohet ashtu siç është planifikuar”, shkruan FC Drita.

“Pjesa e dëmtuar e fushës do të riparohet falë ndihmës së FFK-së, e cila me t’u njoftuar ka dërguar një ekip për riparimin e pjesës së dëmtuar”.

“Klubi ynë, FC Drita falënderon FFK-në për gatishmërinë dhe ndihmën e ofruar”.

Kujtojmë që përballja mes dy ekipeve të Gjilanit ka sjellë gjithmonë një ndeshje interesante.

Këtë herë pritet me shumë interesim përballja mes tyre, duke pasur parasysh që dyja ekipet i prijnë tabelës në Superligë, derisa asnjëra prej tyre nuk ka ende humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore