Kosova

Deputeti Haxhiu kritikon kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për shkak pjesëmarrjes së tij në votim, në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë.

Këtë reagim e ka shfaqur përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, të cilën e ka ndërlidhur me mbylljen e Qendrës së vaksinimit “1 Tetori”, në Prishtinë.

“Në vend se të merret me shpëtimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, Kurti ka vendosur që prioritet t’i ketë zgjedhjet atje dhe politikën ta zhvillojë në Shqipëri”, ka shkruar Haxhiu.

Ai tutje e ka theksuar bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë për sigurimin e vaksinave, dhe në vend të kësaj sipas Haxhiut, Kurti “ka vendosur të bëjë konkurrentin politik në Shqipëri kurse në anën tjetër qytetarët e Kosovës nuk mund të vaksinohen nga paaftësia e qeverisjes së tij për të siguruar vaksinat”.

Ndërkaq, kryeministri Kurti, ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votimit për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit, në Shqipëri, pak orë më parë.

Ai ka votuar në qendrën e votimit, njësia numër pesë, “Kopshti 31”, e cila gjendet në rrugën Pjetër Bogdani në Tiranë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore