Shqipëria

Vetëvendosje në Shqipëri, tërheq vëzhguesit nga procesi i numërimi të votave, paralajmëron ankesa në KQZ


Qendra në Shqipëri e Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë me dije se ka tërhequr vëzhguesit e saj nga procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 25 prillit të zhvilluara në Shqipëri.

Në njoftimin e këtij subjekti politik, Qendra në Shqipëri thuhet se vëzhguesit e saj janë tërhequr qysh në orët e para të mëngjesit të së martës nga procesi i numërimit të votave në të gjitha qarqet ku kanë garuar me kandidatët e tyre si kandidat të pavarur, përkatësisht në Qarkun e Tiranës me Bojken Abazin, Qarkun e Lezhës me Iljas Shehu dhe në Qarkun e Gjirokastrës me kandidatin Kreshnik Merxhani

“Boiken Abazi në Qarkun Tiranë, Iliaz Shehu në Qarkun e Lezhës dhe Kreshnik Merxhani në Qarkun e Gjirokastrës, tre kandidatët e pavarur të mbështetur nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, kanë tërhequr sot në orët e para të mëngjesit të gjithë vëzhguesit e tyre të certifikuar nga procesi i monitorimit të numërimit të votave në tre qarqet ku ata garojnë”.

Arsyeja e tërheqjes së vëzhguesve të këtij subjekti thuhet të jetë deformimi i procesit, përkatësisht duke u deformuar vota në dëm të kandidatëve të tyre e në dobi të pushtetit, duke aluduar në dobi të Partisë Socialiste të udhëhequr nga Edi Rama.

Ky reagim i këtij subjekti politik vije pas numërimit të shumicës së votave, ku Partia Socialiste është duke udhëhequr me një fitore bindëse në tërë vendin me 74 mandate të fituara deri më tani. Ndërsa tre kandidatët e mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë arritur të marrin votat e nevojshme në Qarqet ku kanë konkurruar.

Në reagimin e kësaj dege të LVV-së thuhet se janë deformuar votat në funksion të pushtetit duke penguar vëzhguesit e këtyre kandidatëve të hyjnë në disa prej qendrave të numërimit, kërcënimit të tyre për mos-dokumentim me foto e video për ‘krimin elektoral’ që ka ndodhur.

“Vendime për të mos lejuar vëzhguesit e tre kandidatëve të pavarur të hynë në disa prej qendrave të numërimit, veçanërisht gjatë procesit të hapjes së kutive.

Presioni dhe kërcënimet drejtuar vëzhguesve për të mos dokumentuar me fotografi dhe video krimin elektoral që ka ndodhur brenda qendrave të numërimit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e këtij subjekti në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social facebook.

Si dëshmi në këtë njoftim kanë ofruar disa foto ku shihen disa “X” ku akuzojnë komisionerët për shpalljen të pavlefshme votat.

“Përsëritja e fenomenit të vjedhjes dhe/ose shpalljes së votës si të pavlefshme nga ana e komisionerëve përmes vendosjes së një “X” të dytë në shumë fletëvotime ku ka patur votim të kandidatëve të pavarur. Kjo gjë është dokumentuar gjerësisht në raportet me shkrim që kemi nga vëzhguesit tanë, por edhe në fotografi, madje edhe në një video të ardhur nga Qarku Gjirokastër”.

Për fund thuhet se ky subjekt politik është në proces të grumbullimit të fakteve në mënyrë që të bëjnë ankesë në KQZ, në Tiranë.

“Ekipi ligjor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është duke grumbulluar të gjitha provat dhe dëshmitë me shkrim, fotografi dhe pamje filmike për të dorëzuar ankesat tona pranë organeve përkatëse të KQZ-së dhe organeve të drejtësisë” thuhet në njoftim.

Votimi i kryeministrit Kurti në Tiranë më 25 prill është kritikuar si në Kosovë, po ashtu edhe nga shumë figura të ndryshme ndërkombëtare si Richard Grenell e Von Cramon,

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore