Lajme

Davenport: 70 për qind e vrasjeve të grave janë kryer nga një anëtar i familjes


Në tryezën me temën “Siguria dhe qasja në drejtësi për viktimat në familje”, Shefi i misionit të OSBES-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se rreth 70 për qind e vrasjeve të grave në Kosovë janë kryer nga një anëtar i familjes dhe me armë zjarri.

“Të gjitha këto duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi për të gjithë ne, për të dyfishuar përpjekjet tona për të luftuar këtë fenomen dhe për të çrrënjosur dhunën në familje një herë e përgjithmonë”, theksoi Davenport.

“Unë zotohem se do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët për të përmirësuar bashkëpunimin dhe komunikimin mes tyre, për të siguruar një reagim profesional, që në qendër e ka viktimën”, ka shtuar ai.

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Teksa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media kishte akuzuar sistemin e Drejtësisë për neglizhencë të rasteve të ngjashme.

“Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajze. Sikurse prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të ishte parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera të cilat për shkak të hetimeve unë nuk mund t’i bëj të ditura”, deklaroi Haxhiu para gazetarëve.

Për këtë ngjarje, që tronditi shoqërinë kosovare qindra qytetarë protestuan mbrëmjen e 1 dhjetorit në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi për të.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2 mijë e 67 raste të dhunës në familje me 2 mijë e 126 viktima.

Për ligjin që do shpëtonte jetë ka edhe kapacitete edhe buxhet – por, qeveria s’e trajtoi me prioritet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore