Lajme

Për ligjin që do shpëtonte jetë ka edhe kapacitete edhe buxhet – por, qeveria s’e trajtoi me prioritet


Njëra nga protestat e mbajtura në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave.

Qysh nga viti 2015, atëherë edhe kur është miratuar, Ligji për mbikëqyrje elektronike në Kuvendin e Kosovës, asnjëherë nuk ka gjetur zbatim.

Edhe pas shtatë viteve, funksionimi i tij konsiderohet se nuk është duke ndodhur për shkak të ndërrimit të shpeshtë të politikave.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, Vebi Mujku, në një bisedë për Albanian Post, sqaron se presioni tek institucionet që një ligj i tillë të zbatohet ka qenë mjaft i madh dhe i vazhdueshëm.

Presion pa rezultat megjithatë, meqë zbatimi s’filloi asnjëherë.

“Kjo ndodh për arsyeje të ndryshimeve të shpeshta të koordinatorëve nacionalë, sepse koordinatori nacional ka pozitë politike dhe kryesisht është zëvendësministër i drejtësisë, kjo pozitë duhet të jetë pozitë e përhershme jo politike”, thotë Mujku.

“Ta ketë zyrën e Sekretariatit dhe pastaj të lobojë dhe të fus në zbatim këtë ligj i cili është përgjegjësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Drejtësisë”.

Sipas Mujkut, “këto kanë kosto shumë të ulët dhe përderisa ne presim donacion, atëherë mendoj që kjo është e pajustifikueshme”.

Me një përvojë mjaft të gjatë në sistemin gjyqësor, as juristi Arbër Jashari, nuk ka dëgjuar për zbatimin e këtij ligji ndonjëherë në Kosovë.

“Mbi 10 vjet gjyqësor nuk kam dëgjuar asnjëherë që ky ligj ka filluar zbatimin. Në fakt ligji është i vjetër, por nuk ka gjet zbatim për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike. Konsideroj, se nuk duhet të jetë arsyeje buxheti për mosblerjen e këtyre pajisjeve”, ka thënë Jashari për AP.

Foto nga dokumentari i realizuar nga Albanian Post.

Çka nënkupton ky ligj?

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale një ligj të tillë e konsideron “jetik”.

Zbatimi do të nënkuptonte se edhe rastet e vrasjeve do të mund të parandaloheshin.

“Për shkak se do t’i parandalojë vrasjet në Kosovë”, pohon.

“Parashihet që të vendoset një lloj zinxhiri, një lloj hallke një pajisje e cila do të vendoset edhe tek viktima edhe tek ushtruesi i dhunës dhe këto dy pajisje do të lidhen në dhomën e monitorimit në polici”.

Ai tregon edhe mënyrën se si kjo hallkë do të funksiononte në rast se do të vendosej tek viktimat e tek dhunuesi.

“Sa herë që ata afrohen mes vete, policia do të jetë në gjendje që ta monitorojë se ku gjendet viktima dhe sa është afruar dhunuesi dhe duke e parë parasysh që kemi patrulla të vazhdueshme në rrugët e Kosovës, policia është në gjendje që të intervenoj shpejt”, sqaron Mujku.

Ndërsa Jashari pohon se mos implementimi i ligjit nuk ka ndodhur as për pasojë të mungesës së parave për t’i blerë pajisjet.

“Shteti ynë ka aq të ardhura sa të blejë këto pajisje”, deklaron.

Por,  “pavarësisht sa është kostoja e madhe asgjë nuk krahasohet me jetën e njeriut”.

Foto nga njëra protestë e mbajtur në Prishtinë.

Kurse Mujku është i bindur se, nëse jo t’i ndalte krejtësisht vrasjet, ligji i tillë funksional do të minimizonte rastet me fatalitet të dhunës në familje.

“Sepse në raste të caktuara do të ishte policia ajo e cila do të intervenonte”, Gjithashtu,  “edhe fakti që është nën përcjellje të vazhdueshme nga ana e policisë do të kishte efekt edhe te kryesit e dhunës dhe krimeve”.

Në kuadër të emisionit MEMORY, Albanian Post, kishte realizuar një dokumentar me viktimat e dhunës në familje ku nga Ministria e Drejtësisë thoshin se po punohej në disa përmirësime të ligjit dhe do të aplikohet, derisa policia pati pohuar se po ndihmohen edhe nga një ambasadë në Kosovë.

Në këtë dokumentar këshilltarja e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Nazlie Bala kishte deklaruar se punimet kanë filluar.

Por, e pyetur pas 11 muajve që nga deklarata e saj për AP, Bala nuk është përgjigjur se deri ku ka arritur ky proces dhe sa është e angazhuar ministria e Drejtësisë në këtë drejtim.

Sipas statistikave, vetëm gjatë vitit 2022 pesë gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.

Rasti i fundit ka qenë më 30 nëntor, kur një grua shtatzënë u vra nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Dorasi vazhdon të jetë në arrati.

Edhe, Gjykata Themelore e Ferizajt, ka konfirmuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35 vjeçares e cila u vra në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Teksa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media me 1 dhjetor kishte akuzuar sistemin e Drejtësisë për neglizhencë të rasteve të ngjashme.

“Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajze. Sikurse prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të ishte parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera të cilat për shkak të hetimeve unë nuk mund t’i bëj të ditura”, deklaroi Haxhiu para gazetarëve.

Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2 mijë e 67 raste të dhunës në familje me 2 mijë e 126 viktima.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore