Lajme

“Dashuria mbi dhunën”, në ditën kur Luther King ngriti Nobel-in


Ishte kjo ditë e 14 tetorit të vitit 1964, kur udhëheqësi i të drejtave civile, Martin Luther King, do të triumfonte me Çmimin Nobel për Paqen.

Çmim ky, për rezistencën e tij jo të dhunshme ndaj paragjykimeve racore në Amerikë.

Kur e mori, në fjalimin e pranimit, ai kurrsesi nuk mund të mos thoshte të paharrueshmet fjalë se…

“Më duhet të pyes se pse ky çmim i jepet një lëvizjeje që është e qarkuar nga një luftë e pamëshirshme, një lëvizjeje që nuk ka fituar paqen dhe vëllazërinë çka është edhe thelbi i Çmimit Nobel.

Pas soditjes, dal në përfundimin se ky çmim që marr në emër të asaj lëvizjeje është një njohje e thellë se nuk është dhuna përgjigja e pyetjes vendimtare politike dhe morale të kohës sonë, nevoja që njeriu të kapërcejë shtypjen dhe dhunën pa iu drejtuar shtypjes dhe dhunës.

Qytetërimi dhe dhuna janë në antitezë.

Njerëzit me ngjyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë demonstruar se mungesa e dhunës nuk është pasivitet steril, por një forcë e fuqishme morale që bën transformimin shoqëror.

Herët a vonë, të gjithë njerëzit e botës do të duhet të zbulojnë një mënyrë për të jetuar së bashku në paqe dhe kështu, ta shndërrojnë këtë elegji në psalm të vëllazërisë.

Që kjo të arrihet, njeriu duhet të zhvillojë për çdo konflikt njerëzor një metodë, e cila refuzon hakmarrjen, agresionin dhe shpagimin.

Themeli i një metode të tillë është dashuria”.

I ndikuar nga Mohandas Gandhi, ai mbrojti mosbindjen civile jo të dhunshme ndaj ndarjes racore.

Protestat paqësore që drejtoi në të gjithë jugun amerikan, u ndeshën shpesh me dhunë, por King dhe pasuesit e tij vazhduan dhe lëvizja e tyre jo e dhunshme mori vrull.

Ky orator i pashembullt, iu drejtua idealeve të krishtera dhe fitoi mbështetje në rritje nga qeveria federale dhe të bardhët veriorë.

Në vitin 1963, drejtoi marshimin masiv në Washington, në të cilin mbajti fjalimin frymëzues “Unë kam një ëndërr”.

Në vitin 1964, lëvizja e të drejtave civile arriti dy nga sukseset më të mëdha: ratifikimin e Amendamentit të 24-të dhe Aktin për të Drejtat Civile të vitit 1964.

Në tetor të atij viti, kur mori çmimin, 54 mijë e 600 dollarët e tij ia dhuroi lëvizjes për të drejtat civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore