Lajme

Covid-19/ Mutacioni indian mbërrin në Rusi


Rusia ka regjistruar rastin e parë të variantit indian të Covid-19, sipas raportimeve nga gazeta Kommersant. Rasti mendohet se është shfaqur në rajonin e Ulyanovsk-ut.

Të dyshuar si bartës të variantit indian kanë qenë 16 studentë indianë, pjesë e universitetit shtetëror të Ulyanovsk-ut. Kjo vatër është rreth 700 kilometra larg kryeqytetit rus.

Të prekur nga mutacioni indian janë të 16 studentët, ndaj rreziku nga variantit është i madh dhe alarmi është ngritur nga autoritetet ruse.

Nënkryeministrja, Tatiana Golikova, më parë ka deklaruar se nuk ka asnjë rast të shënuar nga varianti. Por, raportimet e përditshme tregojnë një tjetër realitet.

Zyrtarizimi i rasteve gjithsesi ende pritet nga Ministria e Shëndetësisë.

Varianti indian i Covid-19 është cilësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një mutacion me rrezikshmëri shumë të lartë. Sipas studimeve, ai përhapet shumë më shpejt se Covid-i i zakonshëm.

Vetë India është në një krizë të thellë, për shkak të pandemisë. Çdo ditë regjistrohen mesatarisht 350 mijë raste të reja atje. Gjithashtu numri i vdekjeve ditore ka shkuar mesatarisht në 4 mijë, duke krijuar problem edhe me ceremonitë mortore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore