Lajme

Çmimi Nobel për Paqe: Laureatit rus i është kërkuar të refuzojë


Bashkëfituesi rus i Çmimit Nobel të Paqes të këtij viti, Yan Rachinsky ka deklaruar se autoritetet e Kremlinit i kanë kërkuar që ta refuzonte çmimin.

Kjo pasi dy bashkëlaureatët e tjerë – një organizatë ukrainase për të drejtat e njeriut dhe mbrojtësi i të drejtave bjelloruse i burgosur – u konsideruan “të papërshtatshëm”.

Rachinsky drejton “Memorial” është një nga grupet më të vjetra të të drejtave civile në Rusi, i cili u mbyll nga qeveria vitin e kaluar.

Në një intervistë ekskluzive me “BBC-në”, ai theksoi se organizata e tij ishte këshilluar të refuzonte çmimin, por “natyrisht, ne nuk e morëm parasysh këtë këshillë”.

Pavarësisht kërcënimeve për sigurinë e tij, Rachinsky tha se puna e “Memorialit” mbeti thelbësore.

“Në Rusinë e sotme, siguria personale e askujt nuk mund të garantohet. Ne duhet të dalim nga kjo gropë disi”, shtoi ai.

“Memorial” kishte dokumentuar represionin historik sovjetik.

Kryetari i saj i parë – Arseny Roginsky – u dërgua në kampet sovjetike të punës për të ashtuquajturin studim “antikomunist” të historisë.

Duke shpallur fituesit e çmimit, Komiteti Nobel tha se “Memorial” u themelua mbi idenë se “përballja me krimet e së kaluarës është thelbësore në parandalimin e krimeve të reja”.

Rachinsky e quajti vendimin e komitetit për t’i dhënë çmimin marrësve në tre vende të ndryshme “të shquar”.

Ai tha se ishte provë “se shoqëria civile nuk ndahet nga kufijtë kombëtarë, se është një organ i vetëm që punon për të zgjidhur problemet e përbashkëta”.

Por vendimi për të përfshirë një marrës rus ka qenë i diskutueshëm.

Gruaja që drejton Qendrën e Ukrainës për Liritë Civile – një tjetër nga fitueset e çmimit – refuzoi të intervistohej së bashku me Rachinsky-n.

“BBC” foli me ta veçmas në Oslo.

Kur u pyet pse donte ta bënte intervistën veçmas, Oleksandra Matviichuk tha se “tani jemi në një luftë dhe duam ta bëjmë zërin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut ukrainas të prekshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore