Financa

Cilët janë sektorët më pak të paguar në Shqipëri?


Pagat mesatare në Shqipëri kanë qenë në rritje të vazhdueshme ndër vite, me disa sektorë më prioritarë, të tjerë me rritje më të ulët, apo edhe disa të mbetur në nivele tejet të ulët për shkak të tregut.

Teksa sektorë të tillë si inxhinieria, programimi, kanë parë rritje të mëdha në paga, duke parashikuar edhe rrezikun e thithjes së punonjësve nga tregjet e huaja që mund të konkurrojnë përmes ofrimit të mundësisë si “freelance”, disa mbeten poshtë mesatares kombëtare në kuptimin e pagesave.

Vetë Instituti i Statistikave ka bërë një publikim lidhur me to, ku sektorët e bujqësisë, ndërtimit, tregtisë apo industrisë, ofrojnë paga poshtë mesatares kombëtare.

Në tremujorin e fundit të vitit 2023, paga mesatare bruto në bujqësi arriti nivelin e 49 mijë e 140 lekë, me rritje 15.8%, por niveli i saj ishte sa 65% e pagës mesatare në shkallë vendi.

Kjo nuk nënkupton se pagat në bujqësi nuk janë rritur. Përkundrazi, ato kanë qenë edhe më të zhvilluar se sa sektorë të tjerë, por, për shkak të bazës së vogël, ka ende një diferencim të madh me sektorë ku ofrohen paga më të larta, si për shembull ekonomia, ku arrihet mesatarisht në 75 mijë lekë pagë mujore bruto.

Në ndërtim ndërkaq, pagat janë më të mira, por sërish në nivele bruto mbeten poshtë mesatares, ku përmendet një shifër në 58 mijë e 387 lekë në muaj, në termat bruto.

Edhe sektori i tregtisë, ofron paga mesatare të ulëta në krahasim me nivelet e përgjithshme, ku në tremujorin e fundit 2023 sipas Instat, në tregti, transport dhe shërbime, ajo ndalej në 60 mijë e 179 lekë.

Industria shkon deri në 64 mijë e 381 lekë bruto, krahasimisht me pagën mesatare, e cila është 75 mijë lekë.

Teksa, në projektin dhe vizionin e Qeverisë, sektori publik do të synojë të çojë pagën mesatare në 900 euro në muaj dhe nga sa lihet të kuptohet nga retorika qeveritare, do të shihet edhe mundësia dhe vullneti i privatit për t’i rritur pagat në vijim, në nivele më të larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore