Shqipëria

Moody’s me vlerësim ‘pozitiv’ për Shqipërinë, ulet borxhi dhe rritet ekonomia


Ekonomia shqiptare po rritet, po shfaq shenja përmirësimi dhe tashmë jo vetëm që është e qëndrueshme, por mund të projektojë mundësinë për një skenar më të mirë fiskal nga sa pritej.

Kështu ka pasqyruar Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody’s”, e cila e ka kaluar vlerësimin nga “e qëndrueshme” në “pozitive”.

Një vit më parë, Moody’s kishte dhënë një vlerësim në nivele të qëndrueshme për vendin, mbi të gjitha pas rimëkëmbjes ekonomike post-COVID-19.

Teksa, tashmë, projektimi është edhe më optimist.

Në publikimin e saj, agjencia deklaron se Shqipëria ruajti stabilitetin makroekonomik përmes tre goditjeve të njëpasnjëshme gjatë kohëve të fundit, përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë e COVID-19 dhe krizën energjetike të vitit 2022.

Agjencia vlerëson po ashtu se raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u kthye në një trajektore të qëndrueshme rënëse në vitin 2022, duke kompensuar plotësisht rritjen e borxhit përgjatë periudhës 2019-2021.

Moody’s pret që raporti i borxhit ndaj PBB-së të ulet në 56.3% në vitin 2024 nga 59.2% në vitin 2023. Përtej këtij viti, Moody’s pret që raporti i borxhit ndaj PBB-së të qëndrojë në një trajektore të qëndrueshme rënëse, në sajë të suficiteve primare të pritshme dhe të një rritje të qëndrueshme të PBB-së.

Ndër të tjera, pritet që autoritetet të respektojnë rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, të cilat përfshijnë një bilanc primar jo më të ulët se zero dhe një reduktim të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së çdo vit derisa të arrijë 45% të PBB-së.

Sipas agjencisë, rënia e borxhit pritet të nxitet nga reformat e vazhdueshme fiskale, përfshirë strategjinë afatmesme të të ardhurave dhe përmirësimet në menaxhimin e investimeve publike. Ndikimi pozitiv i këtyre reformave mund të tejkalojë pritjet aktuale të agjencisë.

Përmendet gjithashtu edhe një opinion se flukset e qëndrueshme të investimeve të huaja direkte në turizëm dhe energji, përmirësimet në produktivitet, si dhe rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës mbështesin një perspektivë pozitive ekonomike afatmesme.

Agjencia parashikon një rritje reale të PBB-së në 3.5% në vitin 2024.

Sistemi bankar mbetet i fortë dhe me likuiditet të lartë, shtohet në vlerësim.

Faktor në këtë mbetet edhe rritja e turizmit dhe rritja e remitancave të ardhura në Shqipëri në këto vite.

Agjencia po ashtu është e mendimit se profili i kreditit të Shqipërisë do të përfitojë gjithashtu nga zbatimi gradual i reformave të mëtejshme që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE.

Integrimi i mëtejshëm ekonomik me BE-në, partnerin më të madh tregtar të Shqipërisë, ka të ngjarë të përmirësojë potencialin e rritjes së ekonomisë të saj në afatmesëm dhe eventualisht të ngushtojë më tej hendekun në nivelet e të ardhurave me vendet anëtare të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore