Shqipëria

FMN e BB vlerësojnë qëndrueshmërinë e Shqipërisë: Mbështetje dhe financim për reformat


Ministri i Financave, Ervin Mete dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko kanë marrë pjesë në mbledhjet e zhvilluara nga Fondi Monetar dhe Banka Botërore në Washington.

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së, Ministri Mete dhe Guvernatori Sejko i njohën të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, reformat e ndërmarra, si edhe pritshmëritë për periudhën në vazhdim.

Ata theksuan se Shqipëria po kalon një moment të mirë ekonomik.

“Viti 2023 u mbyll me uljen e mëtejshme të borxhit publik, i cili zbriti në nivelin 59.2%, shifra rekord të investimeve të huaja direkte, të cilat arritën në afro 1.5 miliardë euro, me një numër të lartë vizitorësh të huaj, trend i cili ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, si edhe me norma të ulëta të papunësisë”.

Gjithashtu, u tha në takim se sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe me norma të larta likuiditeti.

“Përballë një konteksti global të karakterizuar nga rritja e shpejtë e çmimeve, e pasigurisë dhe e kostove të financimit, vendi ynë ka arritur të sigurojë ritme pozitive të rritjes ekonomike, të punësimit e të pagave, progres në drejtim të reduktimit të inflacionit, si dhe ka ruajtur stabilitetin e përgjithshëm ekonomik dhe financiar”.

Sa i takon inflacionit, zyrtarët ravijëzuan se ka zbritur në objektivin e Bankës së Shqipërisë brenda një kohe relativisht të shpejtë, duke arritur në 2.3% në muajin mars.

“Kjo edhe “si pasojë e ndërhyrjeve dhe politikës monetare të ndjekur nga BSH, që ka pasur si objektiv amortizimin e goditjeve dhe zbutjen e presioneve të brendshme inflacioniste”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga autoritetet shqiptare.

Ata veçuan si një zhvillim pozitiv rritjen e vlerësimit për herë të parë të agjencisë Standard&Poor’s për kreditin e Shqipërisë, i cili u pasua nga një rishikim në rritje i perspektivës edhe nga agjencia Moody’s, si edhe theksuan se dalja e vendit nga lista gri e FATF/MONEYVAL është gjithashtu një lajm me efekte shumë pozitive për Shqipërinë.

Gjithashtu, vlerësuan përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian si dhe sa i përket përballimit me sukses të goditjeve të njëpasnjëshme, ku edhe sipas vlerësimeve të FMN Shqipëria rezultoi një nga ekonomitë më rezistente në rajon.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht trendin e ndjekur nga ekonomia shqiptare dhe ecurinë e treguesve dhe parametrave kryesorë makroekonomikë.

Pala shqiptare falënderoi përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së për asistencën teknike dhe mbështetjen e vazhdueshme përmes financimit të projekteve konkrete të zhvillimit.

Ministri u shpreh se vëmendje i është kushtuar mbështetjes në vazhdimësi të kapitalit njerëzor dhe me asistencën e Bankës Botërore synohet të analizohen të gjithë komponentët e mbrojtjes sociale. Gjithashtu, në fokus do të jenë projektet në mbështetje të turizmit dhe sektorëve të tjerë prioritarë të ekonomisë.

Ndërsa, guvernatori Sejko theksoi se mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar dhe investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e sistemit të pagesave, në inovacionin dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare, kanë kontribuuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e stabilitetit të vendit.

Pala shqiptare u shpreh se integrimi ekonomik brenda rajonit dhe me Bashkimin Evropian nis me sistemet dhe shërbimet e pagesave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore