Zgjedhjet në Shqipëri

Çfarë po e ndalon mundësimin e votës së emigrantëve?


Vota e diasporës, pas aplikimit të teknologjisë në zgjedhje, është çështja që ngre pikëpyetjet më të mëdha të votimeve që do të zhvillohen në 25 prill 2021 në Shqipëri. Gjendemi tre dekada në demokraci tashmë, dhe një e treta e shqiptarëve, e kanë ende të pamundur të votojnë nëse nuk paraqiten fizikisht në atdhe.

Rrjedhimisht, lind pyetja: Çfarë e bën kaq të vështirë mundësimin e votimit të emigrantëve në Shqipëri?

Vetë komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, e ka pohuar disa herë, se mjetet logjistike janë. Ka madje një ligj pikërisht për këtë çështje në Kodin Zgjedhor. Por, ndërkohë që ligji e parashikon dhe lejon mundësinë e votës, problemi qëndron në faktin se ai nuk përcakton mënyrën e saktë.

Këshilli politik për reformën zgjedhore, në qershor të 2020-ës, arriti marrëveshjen për votën e diasporës. Kjo kërkesë, erdhi nga Partia Socialiste dhe u aprovua në këshill. Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, e pohoi i ftuar në emisionin Open, se nëse votimi i diasporës nuk mundësohet brenda 25 prillit, Kushtetuta shqiptare shkelet.

Cilat janë ngërçet?

Problemi më i madh i votës së diasporës, është regjistrimi i tyre. Vetë deklarimi i adresës ku personi është rezident në vendin e huaj, përbën problem. Kjo, pasi në tre vite, janë shumë pak shqiptarët të cilët e kanë kryer procedurën.

Një hallkë tjetër që shtohet këtu, është fakti se shumë emigrantë, nuk janë rezidentë të përhershëm në vendet e huaja. Kjo, për shkak edhe të dokumentacionit. Rrjedhimisht, ata duhet të paraqiten personalisht.

Identifikimi i tyre mbetet gjithashtu një problem i madh. Gjithsesi, me implementimin e teknologjisë, identifikimi biometrik do të mundësohet. Kështu, edhe emigrantët do të jenë identifikuar kur të votojnë.

Por, në ambasadat shqiptare në vendet e huaja, nuk ka nisur asnjë procedurë për ta mundësuar këtë gjë. Një hipotezë, është edhe ajo e shfrytëzimit të marrëveshjeve me vendet e tjera.

Shqipëria ka një marrëveshje të pensioneve me dy shtete fqinje, Greqinë dhe Italinë. Për shkak të kësaj marrëveshje, shtetasit janë tashmë të skeduar dhe të regjistruar në një sistem, i cili mund të përdoret.

Komisioneri u përgjigj se “ky fakt është i vërtetë, por përfshin vetëm një pjesë të vogël”. “Mbi të gjitha, nuk zgjidh problemin madhor. Pjesa më e madhe e diasporës, nuk janë pensionistë”.

Përllogaritja e mandateve dhe mënyrat e votimit

Nuk është e qartë as ku do të përllogariten votat e emigrantëve dhe sa impakt do të ketë. Janë hedhur dy hipoteza lidhur me çështjen. E para, është ajo e përllogaritjes në adresat respektive ku diaspora figuron rezidente në regjistrin e gjendjes civile. E dyta, është përllogaritja e tyre vetëm për kryeqytetin.

Sipas ekspertit të reformës zgjedhore dhe ish kreut të KQZ-së, Kristaq Kume, në një intervistë që ka dhënë për Albanian Post, “Vota e emigrantëve, e merr vlerën e vërtetë nëse llogaritet vetëm për një qark”. “Vetëm kështu, mund të kemi lëvizje mandatesh”, theksoi Kume.

Mënyrat e votimit ndërkohë, janë çështje më vete. Nuk përcaktohen në kod, prioritetet e metodologjisë së votimit. Votimi me postë është metodë efikase e sprovuar në vendet më të zhvilluara të botës, por në Shqipëri, është ngritur problemi i kapjes së Postës Shqiptare nga Qeveria. Të gjitha këto, pretendime të opozitës.

Votimi elektronik nga ana tjetër, do të jetë projekt pilot në zgjedhjet e 25 prillit, ndaj nuk mund të aplikohet në diasporë, pa u provuar fillimisht në Shqipëri. Vetëm dy qarqe do të kenë mundësi të votojnë elektronikisht këto zgjedhje.

Vullneti i KQZ-së për mundësimin e votës së emigrantëve, duket i mirë. Palët politike gjithsesi, janë ato që kanë fjalën e fundit. Nga Qeveria është treguar vullneti për ta finalizuar atë. Opozita ndërkohë, duket më e tërhequr, me pretendimin se do të përdoret për manipulim.

Ajo që vërtetë humb, në fund, është sërish vota e emigrantëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore