Shëndet

Çfarë është radoni dhe pse është kaq i rrezikshëm


Radoni, një gaz radioaktiv natyral i prodhuar kur metale si uraniumi ose radiumi dekompozohen në shkëmbinj dhe tokë, është një shkak i njohur i kancerit të mushkërive.

Mund të hyjë në shtëpi përmes çarjeve në mure dhe dysheme në bodrume dhe nga hapësirat rreth tubave.

Është pa ngjyrë, pa shije e erë dhe prania e tij mund të zbulohet vetëm përmes testeve specifike.

Por kanceri i mushkërive nuk është rreziku i vetëm nga ekspozimi ndaj këtij gazi.

Dy studime të botuara në Neurology, revista e Akademisë Amerikane të Neurologjisë, tregojnë se kontakti me nivele mesatare ose të larta të këtij ndotësi shoqërohet gjithashtu me një rrezik në rritje të goditjes në tru, veçanërisht te gratë.

Studimi i parë përfshiu thuajse 160 mijë gra me një moshë mesatare 63 vjeç, pa goditje të mëparshme, të ndjekura mesatarisht 13 vjet.

Gjatë studimit, 6 mijë e 979 goditje kanë ndodhur në mesin e pjesëmarrësve.

Këta u ndanë në tre grupe: të parët jetonin në zona ku përqendrimet mesatare të radonit ishin më të larta se 4 pc/l; grupi i dytë në zonat me përqendrime mesatare ndërmjet 2 dhe 4 pc/l); i treti në zonat me përqendrime më të ulëta se 2 pc/l.

Për të përcaktuar ekspozimin e radonit, studiuesit lidhën adresat e shtëpisë me të dhënat nga Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), e cila rekomandon një kufi prej  4 pc/l për përqendrimet mesatare të radonit në mjedise të mbyllura.

Në grupin me ekspozimin më të lartë të radonit, ndodhën 349 goditje krahasuar me 343 goditje në grupin e ndërmjetëm dhe 333 në grupin me ekspozimin më të ulët.

Duke marrë parasysh variablat si pirja e duhanit, diabeti dhe hipertensioni, studiuesit zbuluan se grupi me ekspozimin më të lartë ndaj radonit kishte një rrezik 14% më të lartë për goditje në tru krahasuar me grupin më pak të ekspozuar.

Për grupin e ndërmjetëm rreziku u rrit me 6%.

Studimi i dytë – nga të njëjtët autorë – ekzaminoi një gjendje të veçantë, të quajtur hematopoiezë klonale me potencial të papërcaktuar, e cila zhvillohet kur disa qeliza burimore hematopoietike i nënshtrohen mutacioneve gjenetike.

Qelizat e mutuara riprodhohen më shpejt se të tjerat, dhe njerëzit me Chip mund të kenë një rrezik më të madh të kancerit të gjakut dhe sëmundjeve kardio-cerebrovaskulare si goditje në tru.

Në studim janë përfshirë mbi 10 mijë pjesëmarrëse femra, me një moshë mesatare 67 vjeç.

Rreth gjysma e pjesëmarrësve kishin pasur një goditje në tru ose probleme të lidhura me mpiksjen e gjakut/

Studiuesit përdorën testimin gjenetik për të përcaktuar se cili nga pjesëmarrësit kishte mutacione tipike të Chip-it: 9% e atyre që jetonin në zonat me përqendrime më të larta të radonit vuanin nga hematopoieza klonale, krahasuar me 8.4% të atyre që jetonin në zona me përqendrime mesatare dhe me 7.7. % e atyre që jetonin në zona me përqendrime më të ulëta.

Pas rregullimit të rezultateve për faktorë të tillë si mosha, arsimi, raca dhe përkatësia etnike, studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit me një goditje të mëparshme ishemike që jetonin në zona me përqendrime më të larta të radonit kishin një rrezik të Chip-it të rritur me 46%.

Kurse ata që jetonin në zona me përqendrime mesatare kishte 39% rritje të rrezikut në krahasim me grupin në kontakt me përqendrimet më të ulëta të radonit.

Rreziku sakaq nuk u rrit te pjesëmarrësit pa goditje në tru.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore