Shqipëria

Certifikata e vaksinimit/ Si do tё funksionojё pёr shqiptarёt?


Certifikata Digjitale e Gjelbër u propozua nga Komisioni Evropian për tё bërë të mundur lëvizjen e sigurt brenda Bashkimit Evropian (BE) gjatё pandemisё.

Gazetarja shqiptare në Bruksel, Aurora Allushaj, ka deklaruar se, nëse një shtetas shqiptar do të udhëtojë në Europë, duhet t’i paraqesë një kërkesë vendit ku do të udhëtojë, për t’u pajisur me certifikatën e gjelbër.

Gjithashtu, KE-ja u ka kërkuar shteteve të njohin sistemin e digjitalizimit të certifikatave, për të hequr pengesat për shtetasit evropianë që udhëtojnë drejt këtyre vendeve.

Ideja e certifikatës së gjelbër është rikthimi disi në normalitet i jetës së personave edhe gjatë pandemisë. Por, edhe për turizmin gjatë kësaj vere.

Certifikata e gjelbër do të lëshohet nëpërmjet një platforme online brenda muajit qershor.

Ajo do të përfshijë: të dhënat e personit, datën e lindjes, vendbanimin, certifikatën e vaksinimit. Kjo e fundit, nëse do të jetë i vaksinuar, llojin e vaksinës së përdorur, vendin dhe dozën e injektimit.

Gjithashtu do të jetë edhe certifikata e testit negativ, në rast se personi nuk do të jetë i vaksinuar.  Për ata që kanë kaluar Covid-19, brenda 180 ditësh nga momenti që do të udhëtojnë, do të pajisen me vërtetim.

Ky sistem do të jetë i vlefshëm për sa kohë Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) nuk do ta shpallë pandeminë të zhdukur.

“Ka pasur disa kundërshtime nga ekspertë të BE-së, si dhe nga shtete, si Belgjika e Franca. Duke qenë se marrja e një apo dy dozave të vaksinimit, s’do të thotë se nuk mund të infektohesh apo nuk do të jesh automatikisht përcjellës i Covid-19”, u shpreh Allushaj.

Nё janar tё kёtij viti, drejtuesit e Bashkimit Evropian (BE) vendosёn tё fillojnё diskutimet për “certifikatën e vaksinimit” në Këshillin e ardhshëm Evropian(KE).

Iniciatore e kësaj ideje ka qenë Greqia që më 12 dhjetor 2020.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i ka dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian (KE), ku i rekomandonte për krijimin e një “certifikate të standardizuar”, e cila do t’i jepte frymëmarrje industrisë së turizmit nga e cila varet ekonomia e Greqisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore