Zgjedhjet në Shqipëri

Celibashi, se kush kandidon e di Kushtetuta dhe ligji


Komisioneri shtetëror për zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se deklaratat e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, lidhur me kërkesën e saj për moskandidimin e Tom Doshit në zgjedhje, janë të zgjidhura nga Kushtetuta dhe ligji.

“Këtë çështje e ka zgjidhur Kushtetuta dhe ligji, ajo çfarë është e përcaktuar në Kushtetutë dhe ligj do të thotë që është interesi publik, do të thotë që është morali brenda, e mira publike në fund të fundit. Institucione të cilat kanë përgjegjësinë për të zbatuar Kushtetutën, qoftë drejtpërsëdrejti, qoftë edhe ligjin, kanë përgjegjësi vetëm e vetëm t’i qëndrojnë strikt, germë për germë, Kodit Zgjedhor.”

Ai shtoi se “duke bërë këtë, kemi respektuar frymën e ligjit dhe kemi përmbushur interesin publik për çdo aspekt, qoftë dhe ato me sensibilitete të larta publike”.

Për zgjedhjen e tij në krye të KQZ-së, ai ka deklaruar se e ka pranuar detyrën vetëm për faktin se zgjedhja është bërë në bazë të konsensusit politik.

“Opozita kishte të drejtë vetoje. Nëse do kishte ndonjë rezervë të vogël për kandidaturën time, nuk do isha zgjedhur në këtë post”, deklaroi komisioneri.

Celibashi ka sqaruar edhe çështjen e koalicioneve. Ai tha se një parti ka të drejtën të konkurrojë ose e vetme ose në koalicion në të gjitha qarqet e vendit.

“Një parti mund të konkurrojë ose e vetme ose në koalicion. Nëse konkurron në koalicion, ai është uniform në të gjitha qarqet”, ka nënvizuar Celibashi duke shtuar se partitë politike duhet të paraqesin listën emërore të kandidatëve në të gjitha qarqet.

Gjatë diskutimit nëse listat janë vërtetë të hapura ose jo, komisioneri shtetëror për zgjedhjet ka shpjeguar se kandidatët fitues dalin nga renditja e bërë nga subjekti politik.

Lidhur me votën e emigrantëve, Celibashi theksoi se KQZ-ja ka detyrim garantimun e vetëm 600 emigrantëve të cilët kanë deklaruar vendbanimin e përhershëm jashtë kufijve të territorit të Shqipërisë nga viti 2016 e në vazhdim.

Celibashi bëri edhe një shpjegim për organizimin e KQZ-së duke theksuar se përbërja e këtij institucioni është rrjedhojë e konsensusit politik ndërmjet partive politike në vend.

“Komisioni Rregullator është organ drejtues që në përbërjen e vet ka një model të vjetër të KQZ-së. Kemi edhe një strukturë të re që është KAS-i, i cili merret me ankesat që vijnë për vendimet që merr Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve”, tha Celibashi.

Ai shtoi se brenda KQZ-së është prania e një pushteti ekzekutiv dhe një pushteti gjyqësor të cilat i ndajnë kompetencat në bazë të Kodit Zgjedhor. Sipas tij, KAS-i i ka kompetencat më të qarta.

Për sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, Celibashi është shprehur se do të jenë zgjedhje të mira. “Mendoj se ka një shans që zgjedhjet e 25 prillit te jenë të mira dhe ai që të fitojë të ketë legjitimitetin e kësaj fitoreje”, deklaroi kreu i KQZ-së.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore